Analistët: Dialogut i duhet ndërmjetësues nga shtetet e fuqishme evropiane

12 prill 2024 | 13:44

Njohësit e rrethanave politike në vend kanë vlerësuar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të ndërmjetësohet nga një diplomat që vjen nga shtetet e fuqishme evropiane. Megjithatë, ata kanë thënë se parimet e Bashkimit Evropian, sa i përket dialogut, janë të qarta.

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor është duke synuar ta trashëgojë pozitën e sllovakut Miroslav Lajçak, në rolin e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë – Serbi.

Njohësit e rrethanave politike në vend kanë mendime të ndryshme për atë se çfarë roli mund të ketë Pahori, në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Analisti Artan Muhaxhiri, ka vlerësuar se një individ nuk mund të ketë rol të fuqishëm, pasi sipas tij, kornizat e Bashkimit Evropian, sa i përket dialogut, janë të qarta.

“Edhe nëse  z. Pahor vjen, nuk mendoj që do të ketë ndryshime të mëdha në qasjen dhe në modelin e negociatave sepse parimet janë të qarta. Kërkesat, si nga Kosova dhe nga Serbia janë të qarta, kështu që mendoj që në përgjithësi do të vazhdojë trendi aktual”, ka thënë Muhaxhiri për “RTK-Radio”.

Por, analisti Gazmir Raci, ka thënë se për shkak të ndjeshmërisë që ka dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më mirë do të ishte që ndërmjetësuesi të vinte nga shtetet e fuqishme evropiane.

“E dimë që marrëdhëniet politike dhe ekonomike me Slloveninë janë shumë të mira, por për shkak të sensitivitetit, për shkak të problemit të dialogut dhe për shkak të Serbisë, e cila sërish pretendon të jetë hegjemon mbi Kosovën, është e vështirë që një ndërmjetës nga vendet e rajonit të luaj rol të fuqishëm. Prandaj, më mirë do të ishte që dialogun ta ndërmjetësoj një diplomat karriere nga Gjermania p.sh. ose nga vendet e tjera të fuqishme”, ka thënë Raci.

Për dy mandate, dialogu është ndërmjetësuar nga sllovaku Miroslav Lajçak, të cilit mandati i përfundon në fund të gushtit të këtij viti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mungesa e ekspertëve të Teknologjisë Informative (IT) në ekonominë gjermane…