Analistët: Do të rritet presioni ndërkombëtar për dialogun
Njohësit e procesit të dialogut Kosovë – Serbi kanë bërë me dije se qëndrimi i fundit i shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, tregon se do të rritet presioni ndërkombëtar për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Ata kanë bërë me dije se BE-ja do të tregohet këmbëngulëse në këtë çështje.
Drejtori ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka bërë me dije se tani hendeku në mes të Kosovës dhe BE-së për çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe është edhe publik.
Në profilin e vet në “Facebook”, ai ka shkruar se presioni ndërkombëtar mbi kryeministrin Kurti për këtë çështje do të rritet.
“Hendeku në mes të Kosovës dhe BE-së për çështjen e asociacionit tanimë është edhe publik. Përfaqësuesi i lartë, Borell, publikisht shprehi mospajtim me kryeministrin Kurti sa i përket obligimit të Kosovës për ngritjen e asociacionit. Në të njëjtën vijë me BE-në është edhe ShBA-ja. Pra, deri në, dhe me përfundimin e zgjedhjeve në Serbi në prill 2022, presioni ndërkombëtar mbi kryeministrin Kurti do të rritet për të marrë vendime të vështira në kuadër të dialogut”, ka shkruar Shasha. Sipas tij, tani kryeministri Albin Kurti është në një udhëkryq.
“Është e qartë se i vjen fundi atij narracioni. ‘dialogu është prioritet i katërt’, ‘duhet të bëhet dialog me serbët lokalë’, ‘CEFTA duhet të zëvendësohet me SEFTA’ etj. Tanimë është e qartë se asnjë nga këto qëndrime nuk e ka mbështetjen e BE-së apo të ShBA-së. Siç duket, kryeministri Kurti është në udhëkryq. Me një anë ai mund ta zgjedhë rrugën e lehtë dhe të bëhet ‘i favorizuari i ndërkombëtarëve’, duke u thënë ‘po’ kërkesave të tyre. Apo ai mund ta zgjedhë rrugën e vështirë dhe t’u qëndrojë besnik bindjeve të tij dhe aleancës që ka bërë me qytetarët”, ka shkruar Shosha.
Kurse Violeta Haxholli, hulumtuese në KDI, ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se BE-ja do ta vazhdojë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në këtë proces. “Përfaqësuesit e BE-së po vazhdojnë ta ripërsëritin qëndrimin e tyre lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të dialogut, me theks të veçantë atë për asociacionin. Kjo është e natyrshme duke pasur parasysh rolin e BE-së si lehtësuese e këtij procesi. Prandaj, sigurisht se ata duan që t’i shohin këto marrëveshje duke u zbatuar”, ka thënë Haxholli.
Ajo ka paralajmëruar se edhe në të ardhmen do të ketë vështirësi në procesin e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit.
“Sa i përket të ardhmes së procesit të dialogut, është vështirë të parashikohet diçka konkrete meqë me ndërrimin e qeverisjes në Kosovë ka ndërruar qasja ndaj dialogut dhe marrëveshjeve të arritura më herët. Në anën tjetër, as Serbia nuk i ka zbatuar shumë marrëveshje. Mund të thuhet që mungon vullneti politik nga të dyja anët qoftë për të lëvizur përpara dialogun apo për t’i zbatuar marrëveshjet e kaluara. Fakti që është dashur të diskutohen sërish temat si liria e lëvizjes/targat e veturave tregon për vështirësitë e zbatimit të marrëveshjeve të mëhershme”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se vështirë se Qeveria e Kosovës do të lëvizë nga pozicioni aktual. “Sa i përket marrëveshjes për asociacionin, qeveria e ka ripërsëritur disa herë se nuk do ta zbatojë, ndërsa ka kërkuar që ky mekanizëm të zëvendësohet me një këshill nacional ashtu si është në Serbi. Prandaj, vështirë që do të ketë lëvizje nga ky pozicion”, është shprehur Haxholli.
Një ditë më parë, në konferencën e përbashkët për medie me kryeministrin Albin Kurti, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka insistuar që Kosova duhet ta zbatojë marrëveshjen për asociacionin. “Nuk pajtohem që Gjykata Kushtetuese (e Kosovës) vendosi pengesa për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Por, kjo (marrëveshje) u arrit ndërmjet përfaqësuesve të dy qeverive dhe në kuadër të dialogut. Kështu që, më vjen keq, por na duhet të kërkojmë zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, ka deklaruar Borrell.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti ka vazhduar të insistojë se kjo marrëveshje është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Janë 33 marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Dy të tretat e tyre s’janë zbatuar nga Serbia, por gjithmonë Beogradi zyrtar dëshiron ta përmendë një marrëveshje që më duhet ta them s’e ka kaluar testin e Gjykatës sonë Kushtetuese. Më kujtohet më 2015, kur në vendimin e saj asnjë serb i Kosovës nuk protestoi, por vetëm Beogradi. Besoj se është koha që të ketë dialog, ku populli, qytetarët, janë përfituesit e jo politikanët. Prandaj na duhet karakter demokratik i dialogut që të fitojnë njerëzit. Ritheksoj se në fund të dhjetorit të 2015-s serbët nuk u brengosën fort për vendimin e Kushtueses, por ishte Beogradi që po vajtonte për atë që ka ndodhur”, ka thënë Kurti.
Deri më tani, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar dy herë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Takimi i tyre i fundit është zhvilluar më 19 korrik, por palët nuk arritën ndonjë rezultat konkret. Më herët është paralajmëruar edhe një takim i tretë në mes të Kurtit dhe Vuçiqit, por së fundi zyrtarët evropianë kanë treguar se një takim i tillë nuk pritet të ndodhë.
Muhamet KOCI