Analistët i vlerësojnë të pandershme aderimet para zgjedhjeve (Video)
Edhe në prag të zgjedhjeve të 6 tetorit, ashtu sikurse në zgjedhjet e kaluara, personalitete të ndryshme kanë aderuar në subjekte politike.
Lëvizjet e tilla, analistët politikë i krahasojnë me ato të futbollit, gjë që sipas tyre i bëjnë jolojal ndaj subjektit, por edhe ndaj programit politik.
Përmes aderimeve, njerëzit po shiten ose po huazohen, kanë deklaruar për “Kosovapress” analistët çështjeve politike.
Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se aderime të tilla nuk janë të ndershme, pasi ndodhin në kohë fushate.
Për politologun Ramush Tahiri përmes aderimeve, njerëzit po shiten ose po huazohen.
Për të, arsyet e aderimeve politike janë të ndryshme, e si rrjedhojë edhe rezultati i tyre, e që kryesisht thotë të jetë një korrelacion i përbashkët me dobi të dyanshme.
E ajo që duket keq në këtë punë, sipas Tahirit, është ajo se politika shihet të jetë mbi gjithçka.
Sipas tij, është shumë më mirë që të ketë më shumë njerëz jashtë politikës, sesa në politikë.
E për ata që kalojnë nga një subjekt në tjetrin, Tahiri ka konsideruar se lëvizjet e tilla nuk bartin ndonjë vlerë.
Edhe analisti politik, Rrahman Paçarizi, ka thënë për “Kosovapress” se aderimi në prag të zgjedhjeve është i pasinqertë.