Analistët: Kosova ta kuptojë drejt përkushtimin amerikan për dialogun

17 gusht 2020 | 11:27

Njohësit e rrethanave politike në vend kanë folur për pritjet nga takimi i 2 shtatorit, ku Kosova dhe Serbia në Shtëpinë e Bardhë do ta vazhdojnë dialogun për normalizim të marrëdhënieve në mes tyre.

Analisti politik Imer Mushkolaj ka thënë për gazetën “Epoka e re” se nga ky takim mund të pritet vetëm ndonjë marrëveshje ekonomie në mes të dy vendeve. “Takimi i 2 shtatorit do të jetë konfirmim i përkushtimit për arritjen e marrëveshjes finale Kosovë – Serbi, por mund të arrihet edhe ndonjë marrëveshje e karakterit ekonomik” ka thënë ai.

Mushkolaj ka bërë me dije se Kosova duhet ta kuptojë drejt këtë përkushtim amerikan ndaj këtij procesi. Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet ta kapitalizojnë interesin amerikan në këtë proces. “ShBA-ja e ka bërë të qartë se përgjegjësia kryesore për arritjen e marrëveshjes politike i takon Brukselit por, natyrisht, roli i ShBA-së është thelbësor. Kosova duhet ta kuptojë drejt këtë përkushtim amerikan dhe duhet ta kapitalizojë sa më shumë në interes të vetin”, ka thënë Mushkolaj.

Më pesimizëm për takimin ka shprehur analisti politik Shkodran Ramadani. Ai ka vlerësuar se këtë proces e ka komplikuar aktivizimi i Gjykatës Speciale. “Dyshoj se në takimin e radhës në Uashington mes Kosovës e Serbisë do të ketë ndonjë hap substancial përpara. Situata është komplikuar qëkur Grenelli ka deklaruar se ShBA-ja do të përqendrohet në çështje ekonomike dhe qëkur Gjykata Speciale ka filluar aktivitetin e vet. Po ashtu, qëkur aspekti politik – aspekti qendror i dialogut – ka rifilluar të gravitojë drejt orbitës së BE-së, vështirë se mund të presim angazhim përmbajtjesor e vendimtar nga Uashingtoni, sidomos tash që zgjedhjet në ShBA po afrohen dita-ditës”, ka shkruar Ramadani në profilin e vet në “Facebook”.

Sipas tij, në këtë proces problem është edhe Qeveria e Kosovës, e cila është e brishtë për të marrë vendime të rëndësishme. “Përveç këtyre, Qeveria e Kosovës ndërkohë është shumë e brishtë dhe nuk mund të marrë ndonjë vendim serioz. Marrëveshja në mes të Izraelit dhe Emirateve Arabe krijon sadopak një mjedis më inkurajues, por kontesti Kosovë – Serbi është shumë më i rëndë se ai në mes të Emirateve dhe Izraelit. Kësisoj, nuk mund të tërhiqet paralele serioze mes tyre”, është shprehur Ramadani.

Ndërsa Instituti Demokratik i Kosovës ka vlerësuar se është i domosdoshëm që në Kosovë të ndërtohet konsensus politik para se të shkohet në Uashington për dialog me Serbinë më 2 shtator. “Në kuadër të procesit të normalizimit, Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar takime të vazhdueshme të cilat kanë për synim arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme. Pavarësisht prej gatishmërisë dhe mbështetjes nga spektri politik për procesin përmbyllës të dialogut, mungesa e konsensusit politik lidhur me përfaqësimin e Kosovës në bisedime, po vazhdon ta karakterizojë pozicionin e saj negociues”, është thënë në komunikatën e KDI-së.

KDI-ja ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më parë t’i shtojë përpjekjet për arritjen e konsensusit sa më të gjerë në mes të spektrit politik lidhur me të gjitha çështjet e ndërlidhura me dialogun për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. “Ne vlerësojmë që kjo çështje duhet të trajtohet përtej kalkulimeve politike ditore andaj, si partitë në pushtet, edhe ato në opozitë, duhet të tregojnë përkushtim dhe konstruktivitet për t’i tejkaluar pengesat në arritjen e pajtueshmërisë politike rreth procesit, para takimit të paralajmëruar në Uashington. Çdo vonesë në këtë drejtim rrezikon ta dëmtojë pozitën e Kosovës në bisedime si dhe marrëdhëniet e saj me partnerët ndërkombëtarë”, është thënë në komunikatë.

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, të premten i ka ftuar liderët e Kosovës dhe Serbisë për takimin e radhës në Uashington. Ai ka bërë me dije se ndihet i lumtur që këto dy vende do të takohen në Shtëpinë e Bardhë për negociata. Liderët institucionalë dhe politikë të Kosovës e kanë mirëpritur takimin, duke e falënderuar ShBA-në për angazhimin e saj në këtë proces. Sipas tyre, Kosova dhe Serbia në këtë takim do të negociojnë si dy shtete të pavarura. I vetmi që është shprehur kritik ndaj këtij takimi ka qenë ish-kryeministri, lideri i LV-së, Albin Kurti. Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti e ndërlidhi ftesën e këtij takimi me zgjedhjet presidenciale në ShBA që pritet të mbahen në nëntor.

“Në këtë kontekst duhet të shihet edhe 2 shtatori si datë e paralajmëruar e negociatave ndërmjet Kosovës e Serbisë në Uashington D. C. Ish-ambasadori amerikan në Berlin dhe ish u. d. i drejtorit të Inteligjencës Nacionale, Richard Grenell, e do një sukses të orëve të fundit në politikën e jashtme”, ka shkruar Kurti.

Takimi i parë i këtij lloji në Shtëpinë e Bardhë ishte paraparë të mbahet më 27 qershor, por për shkak të publikimit të aktakuzës së Gjykatës Speciale për presidentin Hashim Thaçi, ky takim ishte anuluar.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Akademia e Shkencave ka uruar sot në 76-vjetorin e lindjes,…