Analistët: LV-ja dhe LDK-ja nuk po i besojnë njëra-tjetrës

16 dhjetor 2019 | 09:09

Njohësit e rrethanave politike kanë vlerësuar se mosarritja e marrëveshjes për koalicion qeverisës në mes të Lëvizjes Vetëvendosje (LV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) është duke ndodhur për shkak të dallimeve që kanë këto dy subjekte politike. Ata kanë bërë me dije se këto dy subjekte politike duhet të bëjnë kompromise të nevojshme për postin e presidentit dhe çështje të tjera, në mënyrë që t’i hapet rruga krijimit të institucioneve të reja.

Analisti politik Faton Abdullahu ka thënë për gazetën “Epoka e re” se këto dy parti nuk i besojnë njëra-tjetrës.

“Në rend të parë marrëveshja po zvarritet sepse këto dy subjekte dallojnë shumë saqë është shumë komplekse t’i besojnë njëra-tjetrës. Që të dyja këto subjekte nuk besojnë se do të ndryshojë sa duhet partneri tjetër qeverisës, sa për ta bërë ndryshimin për të cilin pretendojnë. Thjesht, po mungon besimi për ndryshim. Marrëveshja po zvarritet edhe pse përpjekja për të pasur më shumë pushtet nuk bazohet në vlerësimin real se kush sa ka fituar”, ka thënë Abdullahu. Sipas tij, të dyja partitë në tavolinën e bisedimeve për qeverinë e re po ulen si fituese, por po harrojnë se ato të ndara nuk mund të dalin se kanë fituar aq sa për të shtyrë përpara ndonjërin projekt për të cilët kanë bërë fushatë.

“Për më shumë, si duket, LV-ja dhe LDK-ja, me mosbesimin që kanë ndaj njëra-tjetrës, nuk besojnë se qeveria e tyre e ardhshme mund të jetë në nivel të detyrës e të bëhet unike dhe efikase në dialog përballë Serbisë. Prandaj, çdo vonesë për ta themeluar qeverinë sikur u konvenon me shpresën se, ndoshta, kjo temë e nxehtë do të prolongohet e ndikuar nga zgjedhjet në ShBA apo edhe ato në Serbi. Aspak e guximshme dhe më pak e ndershme”, ka thënë Abdullahu.

Më tej, ai ka përmendur kompromiset që duhet t’i bëjnë këto parti për të arritur deri te marrëveshja. “Kompromisi më pragmatik që këto dy parti mund ta bëjnë për t’u arritur marrëveshja është besimi në shtetndërtim për të mirën e qytetarit dhe bindja se, para së gjithash, ne duhet të jemi unikë në përballje me Serbinë. Do të ishte marrëzi politike dhe jo vetëm, që për shkak të kësaj apo asaj ministrie, këtij apo atij posti, të dështojë çdo gjë. Përndryshe, kompromis tjetër do të ishte që të dyja këto subjekte të pajtohen që presidenti nuk duhet të përcaktohet e vendoset nga ato në këtë tavolinë, sepse nuk e kanë as mandatin e as të drejtën. Presidenti i cili mund të dalë nga kjo marrëveshje LV-LDK mund të jetë çdo gjë, por nuk do të jetë kushtetues, sepse nuk do ta përmbushë kërkesën kryesore ligjore për këtë post, të qenit president unifikues”, është shprehur Abdullahu.

Edhe analisti tjetër politik, Blerim Vela, ka vlerësuar se zvarritja e mospajtimeve në mes të LV-së dhe LDK-së mund të humbë kuptimin e arsyetimeve për mosmarrëveshje.

“Përderisa seanca konstituive e Kuvendit është caktuar më 26 dhjetor, LV-ja dhe LDK-ja kanë ende kohë të mbajnë takime dhe mos të arrijnë marrëveshje. Nga 26 dhjetori fillon të humbë kuptimi i arsyetimeve për mosarritje të marrëveshjes për bashkëqeverisje. Atëherë presioni publik si dhe humbja e mbështetjes ndaj partive do të shtohet dukshëm, që paradoksalisht do t’i krijojë kushtet për arritje të marrëveshjes së kompromisit”, ka shkruar Vela në profilin e vet në “Facebook”, duke shtuar se kompromis duhet të jetë presidenti konsensual. “Zgjidhja në fund mund të jetë një kompromis i ndërmjetëm, ku partitë e koalicionit propozojnë një kandidat apolitik për presidentin e vendit që do të mund të mbështetej nga opozita, pa pjesëmarrjen e së cilës në seancat plenare nuk do të mund të fillojë procesi i zgjedhjes së presidentit”, ka vlerësuar Vela.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka deklaruar se formimi i koalicionit LV – LDK ka filluar të marrë karakter të situatave të vjetra politike. “Po i afrohemi periudhës tremujore nga dita e zgjedhjeve, e takimet mes këtyre dy subjekteve përcillen me zvarritje, përplasje, edhe pa marrëveshje për të bashkëqeverisur. Kërkesat për zgjedhje të parakohshme menjëherë pas fillimit të qeverisë Haradinaj, po nga këto dy subjekte politike, po duket se në mungesë të kreativitetit politik, kanë qenë deklarata e parulla politike për konsum ditor, më shumë sesa angazhim për harmonizim të vlerave e përgjegjësive për udhëheqje të vendit”, ka shkruar Kryeziu.

Ndonëse kishin paralajmëruar marrëveshje të shpejtë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, LV-ja dhe LDK-ja ende nuk kanë arritur pajtueshmëri për këtë edhe pas disa takimeve në mes të Albin Kurtit dhe Isa Mustafës.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pas kërkesës së shumicës së partive politike, ka ndryshuar datën e thirrjes së mbledhjes së parë të legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. “Duke respektuar kërkesën e shumicës së partive politike që kanë siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës, me sqarimin se data 24 dhjetor lidhet me pushimin për festën e Kërshëndellave, presidenti Thaçi ka vendosur që mbledhjen e parë të legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës ta thërrasë më 26 dhjetor, në orën 15:00”, është thënë në njoftimin e Presidencës.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 6 tetorit ka dalë subjekti i parë politik, e dyta ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të paktën dy fluturime drejt Aeroportit të Prishtinës dhe dy…