Analistët: Nuk priten rezultate të shpejta në dialogun Kosovë – Serbi
Njohësit e rrethanave politike në vend kanë shprehur skepticizëm për suksesin e dialogut Kosovë – Serbi. Në prag të raundit të ri mes palëve në Bruksel, ata kanë deklaruar për gazetën “Epoka e re” se nuk mund të priten rezultate të shpejta në këtë proces. Sipas tyre, rrethanat ndërkombëtare dhe deklarimet e palëve nuk japin shpresë për ndonjë përparim të shpejtë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
Muhamet KOCI
Njohësit e rrethanave politike në vend nuk besojnë se vazhdimi i dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel do të mund të sjellë rezultate të shpejta. Ata kanë deklaruar për “Epokën e re” se rrethanat ndërkombëtare dhe deklarimet e palëve nuk japin shpresë për ndonjë përparim të shpejtë në këtë proces. Madje, sipas tyre, as BE-ja nuk do të bëjë ndonjë presion të madh ndaj palëve për të arritur këtë vit marrëveshjen përfundimtare.
Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka bërë me dije se Serbia nuk është e gatshme ta pranojë pavarësinë e Kosovës. “Deklarimet e derisotme të palëve nuk japin shpresë për ndonjë përparim të shpejtë dhe substancial. Unë jam ende skeptik për mundësinë e arritjes së marrëveshjes finale në formën e njohjes së ndërsjellë. Serbia nuk është e gatshme ta pranojë pavarësinë e Kosovës, por në këtë fazë ndoshta do të pajtohej që si kompensim për jetësimin e asociacionit të komunave serbe (në kuadrin e kornizave të Kushtetutës së Kosovës), të pranojë heshtazi realitetin e Republikës së Kosovës, nëse BE-ja do t’i binte pesë anëtarët që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë këtë, dhe kështu do të hapej edhe për Kosovën rruga për integrimin në strukturat euroatlantike dhe, njëkohësisht, që Kosova edhe pa njohjen formale të Serbisë, të jetë e barabartë në krijimin e tregut të përbashkët të Ballkanit Perëndimor, që kryeministri Kurti tashmë e ka pranuar si një mundësi zhvillimore”, ka thënë Maliqi, duke treguar se si të sillet Kosova në këtë proces. “Modalitetet e kompromiseve që avancojnë pozitën e Kosovës mund të jenë të shumta. Ata duhet të negociohen, por nëse Kosova do të jetë konstruktive në dialog, pesha më e madhe e kompromiseve do të duhej t’i binte Serbisë si në Rambuje, ose në negociata të Vjenës, dhe jo që Kosova të jetë bllokuese e procesit, sepse status kuoja aktuale i shkon në favor Serbisë, dhe jo Kosovës”, ka thënë Maliqi.
As politologu Belul Beqaj nuk pret ndonjë rezultat të shpejtë në këtë drejtim. “Jo, nuk pres, por më duket se nuk është racionale të mbetemi në defansivë diplomatike për shkak të ambicieve joreale. Nuk mund të diskutojmë për statusin e marrëdhënieve pa e njohur Serbia statusin e shtetit të pavarur të Kosovës, apo jo?!”, është shprehur ai.
Beqaj ka vlerësuar se veprimet e deritanishme janë hap prapa zgjidhjes së dialogut me Serbinë. “Në fakt, deklarimet publike të deritanishme vetëm sa po e ushqejnë politikën serbe që po e përdor dialogun për konsum të brendshëm në Serbi dhe për ta vazhduar mbështetjen ndërkombëtare regjimi i Aleksandër Vuçiqit! Pra, mungon qasja realiste që do ta implementonte marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si obligim i trashëguar, duke i përfillur vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese, ngaqë alternativat janë më të këqija: status quo-ja, rikthim në këmbime territoriale dhe kthim të strukturave paralele që nënkupton konfliktin potencial”, ka thënë Beqaj.
Kurse kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka përmendur faktorët që do të ndikojnë në dinamikën e këtij procesi. Ai ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se në dinamikën e procesit do të ndikojnë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. “Nuk pres një marrëveshje të shpejtë dhe kjo është ajo hapësira që qeveria Kurti e ka të manovrojë edhe për një kohë. Do të mbahet edhe një takim në korrik të këtij viti, i cili do të jetë pak a shumë i ngjashëm me këtë që pamë, ndonëse palët mund të vendosin aty një kornizë të gjerë të asaj se çfarë do të bisedohet, pastaj institucionet evropiane shkojnë në pushim të verës. Në shtator janë zgjedhjet gjermane dhe largimi i kancelares Merkel nga politika gjermane, në tetor janë zgjedhjet lokale në Kosovë, në pranverë zgjedhjet serbe dhe më pas janë zgjedhjet presidenciale franceze”, ka thënë Murati. Sipas tij, këtë proces mund ta përshpejtojë vetëm përfshirja e drejtpërdrejtë e amerikanëve në proces. “Të gjitha këto do ta ngadalësojnë dinamikën dhe ritmin e procesit të dialogut dhe nuk pres ndonjë rezultat apo dhe presion të madh sidomos nga BE-ja në këtë periudhë. Të vetmit që mund ta prishin këtë rehati janë amerikanët nëse vendosin që të përfshihen më drejtpërdrejt në bisedime”, ka thënë Murati.
Në marrëveshje të shpejtë mes palëve nuk beson as nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj. “Gjithçka është e mundur, por është pak e besueshme se mund të ketë marrëveshje të shpejtë. Dialogu kurrë nuk ka qenë eksluzivitet i një qeverie. Ajo është temë më e madhe dhe e ka të domosdoshme një platformë nacionale e të harmonizuar me gjithë spektrin”, ka thënë Nitaj për gazetën.
Ai ka kritikuar qasjen e qeverisë ndaj këtij procesi, duke thënë se ajo ka qenë joserioze. “Qasja e kësaj qeverie ndaj dialogut ka qenë krejtësisht në shpërputhje me seriozitetin e materies. Qëndrimi se dialogu nuk është prioritet, se dialogu është një proces i ri, mosinsistimi që në këtë proces të përfshihen ShBA-ja, kërkesa qesharake për shndërrimin e CEFTA-s në SEFTA, ose ‘zbulimi epokal’ se Kosova qenka për asociacion gjeografik, për vlerësimin tim, kanë qenë joserioze”, është shprehur ai.
Raundi i fundit i dialogut është mbajtur më 15 qershor të këtij viti. Ky ka qenë takimi i parë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në kuadër të dialogut. Pas takimit të parë, zyrtarët e BE-së kanë bërë me dije se takimi i radhës në mes të Kurtit dhe Vuçiqit do të mbahet në fund të muajit korrik.
Lajçaku: Gjithçka në dialog është politike
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se nuk ka asgjë teknike në bisedimet për normalizim të raporteve. Në fillim të një takimi me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, i ngarkuar për çështjen e dialogut, diplomati evropian ka vlerësuar çdo gjë është që diskutohet në mes të Kosovës dhe Serbisë është politike. “E mirëprita Besnik Bislimin, zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës për diskutime sot para takimit të dialogut në nivelin e kryenegociatorëve nesër. Gjithçka në bisedimet mbi normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë është politike. Asgjë s’është teknike”, ka shkruar Lajçak në llogarinë e vet në “Twitter”.
Pas takimit me delegacionin e Kosovës, Lajçak do të takohet me delegacionin e Serbisë, i cili udhëhiqet nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, më pas do të zhvillohet takimi i të dyja ekipeve, me ndërmjetësimin e BE-së.
Në të kaluarën bisedimet Kosovë – Serbi janë zhvilluar në dy nivele, mes delegacioneve në nivel teknik që kanë diskutuar ose aranzhuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura në nivel politik mes kryeministrave ose presidentëve.
Marrëveshjet janë arritur edhe në kuadër të dialogut teknik.
KDI-ja, letër publike Kurtit: Ofroni transparencë mbi dialogun me Serbinë
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti të ofrojë qartësi dhe transparencë mbi procesin e dialogut me Serbinë. Përmes një letër publike, KDI-ja ka vlerësuar se kryeministri as para dhe as pas vizitës në Bruksel nuk ka raportuar në Kuvend lidhur me pozicionin e Qeverisë së Kosovës për të ardhmen e këtij procesi.
“Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ju drejtohet me këtë kërkesë publike për të ofruar transparencë rreth procesit të dialogut Kosovë – Serbi. Lëvizja Vetëvendosje në kohën kur ishte në opozitë në vazhdimësi ka insistuar që transparenca dhe llogaridhënia ndaj Kuvendit dhe qytetarëve rreth këtij procesi janë kyçe. Tani që udhëhiqni qeverinë, nga ju presim që t’u përmbaheni këtyre parimeve. Më 15 qershor keni marrë pjesë në takimin e parë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian me Presidentin e Serbisë, ku keni paraqitur katër propozime. As para dhe as pas vizitës suaj në Bruksel nuk keni raportuar në Kuvend lidhur me pozicionin e Qeverisë së Kosovës për të ardhmen e këtij procesi si dhe më konkretisht lidhur me këtë takim”, është thënë në letrën e KDI-së. KDI-ja ka ftuar kryeministrin që sa më parë t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës për të raportuar mbi takimet e mbajtura duke respektuar parimin e informimit të deputetëve, para dhe pas çdo takimi në kuadër të dialogut me Serbinë.