Analistët: Opozita s’mund ta rrëzojë Qeverinë
Njohësit e rrethanave politike kanë shprehur skepticizëm se kjo opozitë do të mund ta rrëzojë qeverinë aktuale.
Analistët Shkëlzen Maliqi dhe Behxhet Shala kanë deklaruar për gazetën “Epoka e re” se opozita nuk do të mund t’i bëjë numrat për të ngrehur mocion mosbesimi ndaj Qeverisë.
“Opozita ka hapësirë të vogël manovruese sepse nuk ka ofertë të prekshme dhe premtuese për partnerë koalicioni as me LV-në e as disa parti që janë tani në pushtet dhe do të mund të aspironin më shumë në një qeveri tjetër. Ashtu sikur që kemi pasur bllokadën e mungesës së numrave dhe të alternativave në vitet 2014-2015, tani kemi një bllokadë të numrave brenda Kuvendit që nuk mund të zbërthehet lehtë, edhe për shkakun se e kaluara e ka djegur besimin mes shumë partive dhe ato nuk po llogarisin në kombinime të reja të koalicioneve”, ka thënë Maliqi.
Edhe analisti tjetër politik Behxhet Shala ka deklaruar për gazetën se kjo opozitë nuk do të mund të realizojë një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë dhe ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.
“Mund të kërkojë çfarë të dojë, por zgjedhje nuk do të ketë. Në rrethanat normale faktori ndërkombëtar kurrë nuk do të pranonte që Kosova të udhëhiqet nga Thaçi, Veseli e Haradinaj, mirëpo këta u duhen për vendime me muskujt të cilët edhe mund të jenë të kushtueshëm, por nuk ndërrohet ekipi”, ka thënë Shala.
LDK-ja ka paralajmëruar se në muajin shtator do ta iniciojë realizimin e një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë Haradinaj, kurse zyrtarët e kësaj të fundit kanë deklaruar se nuk i frikësohen asnjë iniciative të opozitës.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)