Analistët politikë: Këtë vit Kosovës i duhet unitet politik

05 janar 2021 | 11:10

Njohësit e rrethanave politike në vend kanë bërë me dije se në vitin që po hyjmë skenës politike në vend i duhet unitet politik për disa çështje. Ata kanë deklaruar se partitë politike pas zgjedhjeve duhet të arrijnë një konsensus nacional, sidomos për dialogun me Serbinë.

Analisti Shkëlzen Maliq ka thënë për gazetën “Epoka e re” se liderët politikë duhet të hartojnë platforma të përbashkëta politike për çështje të caktuara.

“A munden elitat tona politike të paktën të punojnë për hartimin e një platforme të përbashkët racionale dhe analitike në të gjitha aspektet rreth planit të ri të krijimit të një zone ekonomike rajonale të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, që pas Marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit ka gjasa se do ta ketë mbështetjen edhe të administratës së re të Bidenit dhe të BE-së si një propozim më konkret, më i prekshëm për nga investimet dhe dobitë për çdo vend dhe për rajonin në tërësi. A munden si prova të atdhetarizmit Albin Kurti, Enver Hoxhaj, Avdullah Hoti dhe liderët e tjerë t’i lënë anash zënkat për pushtetin e paqenë që u zgjat vetëm disa muaj, që të ulen dhe merren vesh për gjërat që janë më rëndësi jetike për të gjithë ne?”, ka thënë Maliqi, duke shtuar se një konsensus i tillë është i domosdoshëm. “Epilog vështirë i imagjinueshëm, por i domosdoshëm nëse kuptohet se po, ne duhet të jemi të dinjitetshëm dhe vetja jonë në bisedimet për fatin tonë, por edhe se i gjithë procesi nuk mund të na nxjerrë fitues apo me ndonjë të mirëseardhur duke u thirrur në ato krekosje dritëshkurtra, se jemi shtet sovran që mund t’ia dalim të vetëm, duke ua bërë ‘vetingun’ interesave të miqve të dëshmuar që i kemi”, është shprehur Maliqi.

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, beson se pandemia politike do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve në vend. “Në Kosovë pandemia politike do të vazhdojë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e rrëzoi qeverinë Hoti. Edhe ashtu kjo qeveri do ta kishte vështirë ta mbijetonte zgjedhjen e presidentit. Zgjedhjet e reja janë një mundësi për një legjitimitet të ri politik. Të kemi shpresë edhe për një qeveri stabile e që së paku pandemisë politike do t’i jepte fund. Kështu do të krijoheshin rrethanat për një betejë më të strukturuar politike, për një opozitarizëm të ri dhe për një përballje me pandeminë në fazat e fundit më institucione më të konsoliduara”, ka vlerësuar Murati.

Ai ka bërë me dije se testi kryesor edhe për qeverinë e re do të jetë përballja me Serbinë. “Këtu nuk kam shumë shpresë se një qeveri e re do ta ndryshojë kursin dhe do të jetë e vendosur që një herë e përgjithmonë ta heqë Serbinë nga jeta jonë e brendshme me një marrëveshje me të cilën Kosova përfundimisht do të funksionalizohej. Po futemi në vitin e ri me plot shpresë se nuk do të jetë si ky që kaluam, se kemi mësuar diçka nga ky për njeriun, sjelljen njerëzore, dashurinë e solidaritetin dhe se do ta zbatojmë në jetën tonë personale dhe, po ashtu, në politikë”, ka vlerësuar Murati.

Kurse analisti tjetër Behxhet Shala ka deklaruar se asnjë parti e vetme nuk mund ta arrijë marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. “Edhe nëse LV-ja i fiton 65 deputetë, nuk besoj se do ta marrë përgjegjësinë për një marrëveshje me Serbinë, pa pajtimin e subjekteve të tjera kosovare. Është kafshatë që nuk kapërdihet e lëre më të tretet, edhe nëse kapërdihet me forcë! Albini këtë e ka të qartë. Po e mbushi pushkën për derra të egër, nëse na del lepur, do ta kemi më lehtë”, është shprehur Shala.

Ndërsa i sapoaderuari në PDK, Faton Abdullahu, ka thënë se zgjedhjet e reja janë një mundësi e mirë për ta flakur tutje një mendësi të vjetër. “Qytetari i Kosovës duhet ta ketë mundësinë që të votojë për ata që do ta mbrojnë shtetin e Kosovës në përballje me Serbinë, për ata që kanë guxim e nuk u ikin as përgjegjësive, e sidomos jo dialogut, për të mbetur vetë të pastër e për ta lënë Kosovën në lloç. Kjo nuk mund të bëhet pa pasur raporte të mira, në të vërtetë shumë të mira me administratën e re Biden. Zgjedhjet e ardhshme duhet ta nxjerrin këtë mendësi politike, këtë kulturë politike, për një fitore të re e cila në variantin më të keq të humbjes dhe dështimit na u paraqit vitin që po e lëmë pas”, ka thënë ai për gazetën “Epoka e re”.

Sipas tij, qytetari i Kosovës para kutive të votimit me votën e tij duhet ta mbrojë UÇK-në. “Nuk janë të paktë ata, dhe kurrë nuk kanë qenë më arrogantë e më të bashkuar e të cilët i sulmojnë vlerat e luftës, konkretisht UÇK-në. Këta faqezi po mendojnë se sot mund të jesh kundër UÇK-së, në të njëjtën kohë me administratën e re Biden. E pamundur, këto dy vlera nuk shkojnë kundër njëra-tjetrës. Do të binden shumë shpejt”, ka vlerësuar ai.

Kosova dhe Shqipëria duhet ta rritin bashkëpunimin strategjik

Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka deklaruar për gazetën se Kosova dhe Shqipëria duhet t’u përgjigjen sfidave të reja globale dhe ta forcojnë bashkëpunimin. “Në kontekstin kombëtar shqiptar duhet rritur bashkëpunimin strategjik për t’i përballuar së bashku tensionet gjeostrategjike botërore. Ndonëse tash jemi dy shtete, tokën shqiptare e kemi të përbashkët ashtu si edhe kombin shqiptar. Kosova dhe Shqipëria kanë obligime kombëtare për ta bashkërenditur politikën e jashtme në favor të gjeopolitikës perëndimore. Dëshiroj t’i lë në të kaluarën disa gabime historike që ndodhën pak vite më parë, ku disa liderë këndej dhe andej kufirit humbën busullën gjeopolitike duke bërë angazhime të gabueshme për ide të rrezikshme për prekje kufijsh. Besoj e kanë marrë mësimin dhe janë këndellur”, ka vlerësuar ajo.

Tahiri ka bërë me dije se në këtë vit Kosova duhet ta rimarrë veten në planin strategjik. “Në kontekstin e Kosovës, pavarësisht prej sfidave që kaluam këtë vit, me pandeminë shëndetësore e politike, të rënies së dy qeverive, dhe me Gjykatën Speciale, duhet ta rimarrim veten në planin strategjik dhe gjeopolitik. Jo vetëm që duhet t’i mbrojmë vlerat e luftës për liri dhe pavarësi, por duhet të jemi të zotët ta zhvillojmë vendin në planin ekonomik dhe ligjor, sepse ndikimet në sferën gjeopolitikë varen nga fuqia e shtetit. Bota udhëhiqet me teorinë e realizmit në marrëdhënie ndërkombëtare, prandaj fuqia e shtetit përcakton ndikimin tonë në këto rrjedha. Duhet të kemi parasysh se kah po shkon bota, për të ditur kah do të shkojmë ne”, ka thënë Tahiri.

(M.K / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, përveç që shpalli Dritën kampione…