Analistët politikë, optimistë për marrëveshjen LV – LDK
Njohësit e rrethanave politike në vend kanë shprehur optimizëm për arritjen e marrëveshjes për qeverinë e re në mes të LV-së dhe LDK-së.
“Po qe se dy partitë kanë vullnet për koalicion, ka kohë të mjaftueshme për ta arritur atë. Mbetet të shihen cilat do të jenë kërkesat e LDK-së dhe oferta e LV-së tash, pas situatës së krijuar me zgjedhjen e kryeparlamentarit”, ka thënë për gazetën “Epoka e re” analisti politik Imer Mushkolaj.
Edhe analisti tjetër politik, Artan Murati, beson se është e mundshme një marrëveshje në mes të këtyre partive.
“Konsideroj se një marrëveshje në mes të LV-së dhe LDK-së është e mundshme dhe se ka kohë të mjaftueshme për të ndodhur. Elementi më pozitiv në raport me të dyja subjektet është harmonizimi i programit qeverisës, pra puna e madhe për bashkëpunim potencial veçse ka përfunduar me sukses. Ndasitë mes të dy palëve janë kryekëput politike dhe nëse ka vullnet për ta shtyrë procesin përpara, e sidomos nëse reflektohet në vullnetin qytetar të 6 tetorit, sigurisht se mund të tejkalohen dallimet aktuale dhe mund t’i hapet rrugë një marrëveshjeje për bashkëqeverisje në mes të dyja palëve”, ka thënë ai, duke shtuar se të dyja partitë duhet të jenë racionale në kërkesat e tyre për koalicion qeverisës.
“Që të dyja subjektet duhet të jenë realiste në kërkesa. LV-ja nuk është fituese absolute e zgjedhjeve, e LDK-ja nuk i ka fituar ato. Pra, para se të ketë kërkesa maksimaliste nga të dyja palët, duhet të reflektohet në rezultatin real të zgjedhjeve. Kjo do ta lehtësonte arritjen e një marrëveshjeje të koalicionit”, ka thënë Murati.
Udhëheqësit e Lëvizjes Vetëvendosje (LV) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) të mërkurën kanë shënuar përparim në drejtim të arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje.
Ata nuk kanë treguar se cila nga këto parti ka bërë lëshime nga qëndrimet, por gazeta “Epoka e re” nga burimet e veta brenda dy partive ka mësuar se LDK-ja kërkon një ministri më tepër dhe postin e presidentit.
“Palët janë në rrugë të mirë të arritjes së një marrëveshje për bashkëqeverisje. Meqenëse kryeparlamentari, për të cilin ishin pajtuar t’i takojë LDK-së, tashmë e ka marrë LV-ja, LDK-ja kërkon një ministri shtesë. Po ashtu, LDK-ja kërkon që në marrëveshje të precizohet saktë se posti i presidentit i takon LDK-së”, kanë thënë këto burime, duke shtuar se nëse arrihet pajtim në mes të palëve, marrëveshja mund të nënshkruhet këtë të premte.
Për sot është paralajmëruar edhe një takim mes Kurtit e Mustafës.
Lëvizja Vetëvendosje nuk ka përfillur kohën shtesë prej 48 orësh të presidentit Hashim Thaçi për dorëzimin e kandidatit për kryeministër.
Pas mbledhjes së Kryesisë që ka mbajtur të mërkurën, LV-ja ka treguar se mandatarin do t’ia dërgojë presidentit në ditët në vijim. “Sot u mbajt mbledhja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje. Në respektim të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Nenit 84, pika 14 dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO 103/14, subjekti ynë do ta bëjë propozimin për mandatarin për kryeministër. Këtë propozim do t’ia dërgojmë me shkresë zyrtare presidentit të Republikës në ditët në vijim”, është thënë në njoftimin për medie të LV-së.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën, pas takimit të parë konsultativ me liderin e LV-së, Albin Kurti, i kishte dhënë afat prej 48 orësh LV-së për propozimin e mandatarit për kryeministër të vendit.
Ky afat ka skaduar të mërkurën në orën 15:00. Në të kundërtën, presidenti kishte paralajmëruar se do t’i marrë veprimet e nevojshme kushtetuese.
/Epoka e re/