Analistët: Qeveria e re duhet ta ndryshojë qasjen ndaj dialogut
Njohësit e procesit të dialogut Kosovë – Serbi kanë bërë me dije se qeveria e re duhet ta ndryshojë qasjen ndaj këtij procesi.
Hulumtuesit nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP) kanë deklaruar për gazetën “Epoka e re” se qeveria Kurti duhet të jetë më proaktive.
Violeta Haxholli nga KDI-ja ka deklaruar për gazetën se qeveria Kurti duhet ta trajtojë më me seriozitet dialogun Kosovë – Serbi. “Po me qeverinë e re pritet një ndryshim sa i përket qasjes ndaj dialogut. Ekzekutivi i ri ka paralajmëruar rivlerësim të procesit dhe marrëveshjeve të dialogut. Po ashtu, kryeministri në ardhje ka deklaruar se dialogu nuk është një nga prioritetet kryesore. Në këtë drejtim ne si KDI mendojmë se dialogu duhet të trajtohet me seriozitet, sepse qeveria ka mandat kushtetues që të merret edhe me politikën e brendshme dhe atë të jashtme dhe këto të dyja nuk duhet të jenë zëvendësim për njëra-tjetrën. Pra, nga qeveria e re dhe kryeministri i ri pritet që të trajtojë të dy këto domene me prioritet”, ka vlerësuar Haxholli.
Ajo ka bërë me dije se tani Kosova duhet t’i shfrytëzojë rrethanat e favorshme ndërkombëtare për këtë proces. “Po ashtu, rrethanat ndërkombëtare aktualisht janë të favorshme për Kosovën, sidomos duke pasur në administratën amerikane një president si z. Joe Biden i cili ka deklaruar vetë se ka raporte speciale me Kosovën. Prandaj shteti i Kosovës duhet të përfitojë nga këto rrethana që t’i shtyjë përpara kërkesat e saj ndaj Serbisë dhe dialogut duke pasur parasysh që ka ende shumë çështje që nuk janë adresuar nga ana e Serbisë si kërkimfalja, të pagjeturit, dëmet e luftës, moszbatimi i shumë marrëveshjeve të dialogut etj”, është shprehur ajo, duke shtuar se institucionet e reja duhet të lobojnë tek administrata amerikane për kërkesat e tyre.
“Pra, në vend se të ketë rezistencë ndaj dialogut, duhet të ketë lobimte partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht tek administrata amerikane mbi kërkesat e Kosovës ndaj Serbisë”, ka deklaruar Haxholli, duke shtuar se një artikulim i mirë i kërkesave dhe një strategji e mirë lobimi është ajo që duhet të bëjë pala e Kosovës në këtë proces.
Edhe Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka thënë se pret një qasje proaktive të qeverisë në këtë proces. Ai ka thënë se qeveria e re nuk duhet të këmbëngulë në njohjen reciproke. “Është mirë të pritet konstituimi i institucioneve për të parë qartë se si do të vazhdohet dialogu me Serbinë, apo më mirë thënë si do të jetë qasja në këtë proces për arsye që të mos paragjykojmë pozicione apo veprime që do të mbajë qeveria e re. Sidoqoftë, në aspektin se si duhet të jetë qasja në dialog nga kjo qeveri, atëherë unë pres një qasje proaktive jo defanzive, që nënkupton propozim temash, kërkesa për zbatim marrëveshjesh nga Serbia dhe ngulmim për një rezultat final me njohje të ndërsjellë”, ka vlerësuar Fetahu.
Sipas tij, qeveria e re duhet të përpilojë një platformë të qartë dialoguese me parime dhe qëndrime të mirëfillta. “Kjo qeveri e ka të gjithë legjitimitetin dhe fuqinë politike e që, ndoshta, qeveritë e tjera nuk e kanë pasur që ta shtyjë përpara këtë proces me një qasje serioze. Unë pres që të përpilohet një platformë e qartë dialoguese me parime dhe qëndrime të mirëfillta, e konsultuar edhe me partitë e tjera parlamentare, që pozicioni i Kosovës të jetë i fortë. Gjithashtu, do të ishte e dëshirueshme një kërkesë për një angazhim edhe më direkt të ShBA-së karshi BE-së në këtë proces, dhe Kosova ta luajë rolin përbashkues e jo të shërbejë si përçarëse për këto dy superfuqi”, ka thënë Fetahu.
Opozita i kërkon Kurtit sqarime për dialogun
Opozita ka kërkuar sqarime për dialogun Kosovë – Serbi nga fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit. Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, pas takimit konsultativ me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, ka thënë se ata duhet t’i sqarojnë disa çështje në lidhje me këtë proces. “Kam kërkuar të di qëndrimin e tyre për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me qëllimin përfundimtar të njohjes reciproke. A do ta mbajnë ata premtimin e dhënë për qytetarët e Kosovës se nuk do të fillojë dialogu me Serbinë pa një kërkimfalje zyrtare nga Serbia dhe kthimin e të gjithë personave të zhdukur? Kam kërkuar të di qëndrimin e tyre në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe. A do ta sjellin në Kuvend anulimin e këtij projekti dhe të marrëveshjeve të Brukselit?”, ka thënë Hoxhaj.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ftuar të dyja palët për vazhdim të dialogut. BE-ja ka bërë me dije se takimin e radhës midis Kosovës dhe Serbisë do ta thërrasin pas formimit të institucioneve të reja në Kosovë, të dala nga zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.
Kurse i dërguari i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, së fundi ka zhvilluar takime online me përfaqësuesit politikë të të dy shteteve, me të cilët ka biseduar për rinisjen e këtij procesi. Në këto takime Palmer ka vlerësuar se Shtetet e Bashkuara e mbështesin procesin e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, duke shtuar se pret që vazhdimi i dialogut të pasojë së shpejti.
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur në mars të vitit 2011.
Në këtë periudhë dhjetëvjeçare janë zhvilluar dhjetëra takime dhe janë nënshkruar shumë marrëveshje, por procesi ende nuk ka prodhuar një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Procesi i dialogut Kosovë – Serbi kishte nisur me bisedimet për çështje teknike, ndërkaq në vitin 2012 kishte evoluuar në bisedime politike, për të kaluar më pas në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me përfaqësim të nivelit të lartë politik, ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të të dyja vendeve.