Analistët thonë se Asociacioni s’mund të themelohet njëanshëm
Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, e ka vlerësuar të panevojshëm paralajmërimin e Listës Serbe për themelimin e njëanshëm të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ai ka thënë se kjo mënyrë e formimit të asociacionit është e papranueshme.
“Themelimi i këtij asociacioni në këtë mënyrë është i papranueshëm. Ky asociacion është paraparë të miratohet në Qeverinë e Kosovës. Në këtë mënyrë paralajmërimi i tyre nuk është i mundshëm. Pra, themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe në mënyrë të njëanshme është i papranueshëm dhe, si i tillë, nuk do ta ketë legjitimitetin dhe legalitetin e kërkuar. Kjo rrugë që kanë zgjedhur ata mendoj se dëmton edhe frymën e dialogut për normalizim dhe atë pjesën e pajtueshmërisë që e kanë pasur delegacionet tona shtetërore të cilat janë pajtuar të formohet asociacioni në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës”, ka deklaruar Ferati për gazetën “Epoka e re”.
Ndërsa drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka thënë se çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe askush nuk ka arsye dhe legjitimitet që ta shndërrojë në një betejë politike. Sipas tij, kjo çështje tani ka një rrugë juridike e kushtetuese.
“E sa i përket asociacionit, mendoj se kjo çështje tani ka një rrugë juridike e kushtetuese dhe nuk ka arsye e as legjitimitet askush ta shndërrojë këtë çështje në një betejë politike”, është shprehur Kryeziu për gazetën “Epoka e re”.
Ndërsa analisti politik Shkëlzen Maliqi ka thënë se si duket Lista Serbe ka ndryshuar mendimin sa i përket themelimit të njëanshëm të Asociacionit të Komunave më Shumicë Serbe. Sipas tij, pas intervenimit të Vuçiqit, Lista e ka afatizuar këtë veprim për 20 prill, duke i lënë kështu hapësirë edhe Qeverisë së Kosovës për ta përgatitur variantin e vet të Asociacionit, ku nuk parashihen kompetencat ekzekutive.
Megjithatë, Maliqi ka bërë me dije se serbët do të insistojnë që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të ketë kompetenca ekzekutive, por ai ka thënë se për këtë nuk do të pajtohen kosovarët dhe faktori ndërkombëtar.
“Ajo njëherë u ngut dhe tha se asociacioni do të themelohet të nesërmen e ditës kur reagoi ndaj arrestimit të Marko Gjuriqit, pastaj u tërhoq pjesërisht, mbase pas intervenimit të Vuçiqit, e ka afatizuar këtë veprim për 20 prill, duke i lënë kështu hapësirë edhe Qeverisë së Kosovës për ta përgatitur variantin e vet të Asociacionit, ku nuk parashihen kompetencat ekzekutive. Ndërkaq serbët do të insistojnë në këto kompetenca ekzekutive, për çfarë vështirë se mund të gjejnë pajtueshmëri jo vetëm te kosovarët, por edhe te faktorët ndërkombëtarë”, ka deklaruar Maliqi për gazetën “Epoka e re”.
Për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të dielën ka folur edhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq. Ai ka thënë se autoritetet e Kosovës nuk duhet t’ia lejojnë vetes që të përsëritet ajo që ka ndodhur më 26 mars në veri, ku ishte arrestuar Marko Gjuriqi. Sipas tij, deri më 19 prill Brukseli dhe Prishtina mund ta shpëtojnë fytyrën, duke e themeluar Asociacionin. “Nuk mundi të poshtëroni, të mos i përfillni njerëzit dhe të prisni që ata të mos mbrohen. Përfaqësuesit e serbëve kanë vendosur t’i ndihmojnë Brukselin dhe Prishtinën që ta ruajnë fytyrën deri më 19 prill, që ta nisin themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ose ne do ta bëjmë vetë”, ka thënë Rakiqi për mediet serbe.
Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte arritur më 25 gusht 2015, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 23 dhjetor 2015 pati vlerësuar se disa nga parimet e përgjithshme të marrëveshjes për Asociacionin nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe se këto parime duhet të jenë në pajtueshmëri me standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Shqipe HETEMI