Analistët thonë se shembullin e Veselit ta ndjekin edhe partitë e tjera
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka larguar të mërkurën nga pozitat institucionale dhe partiake të gjithë zyrtarët e PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë.
Në një konferencë për medie dje, lideri i PDK-së ka bërë me dije se me këtë vendim janë liruar nga detyra ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, zëvendësministri i FSK-së, Agim Çeku dhe Nijazi Kryeziu, të cilët janë në procese gjyqësore.
Po ashtu, kreu i PDK-së ka konfirmuar se partia që drejton nuk do të kandidojë e as nuk do t’i mbështesë kandidatët e asnjë subjekti politik që kanë aktakuza të konfirmuara.
Veprimi i kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, është përshëndetur nga shoqëria civile dhe njohësit e rrethanave politike në vend. Ata kanë kërkuar që edhe subjektet e tjera politike ta ndjekin shembullin e liderit të PDK-së.
“Ky është një veprim i qëlluar dhe duhet përshëndetur. Kadri Veseli këtë veprim është dashur ta bëjë edhe më herët, mirëpo meqenëse ka qenë në zgjedhjet e brendshme, ai sigurisht se ka pritur se si po rrjedhin ngjarjet në Konventën Zgjedhore dhe pas marrjes së mandatit të ri ka larguar të gjithë ata që kanë akuza të konfirmuara. Një gjë të tillë prej partive e kanë kërkuar edhe ndërkombëtarët. Ndryshe nuk ka pasur kuptim ta udhëheqësh një parti me një numër të madh të të akuzuarve, sepse nuk mund të thirren se po luftojnë korrupsionin dhe, në anën tjetër, të keni zyrtarë të partisë me akuza nëpër institucione”, ka thënë për gazetën “Epoka e re” analisti Behxhet Shala.
Ai ka vlerësuar se me këtë veprim kjo parti po bën një kthesë të re, duke shtuar se lidershipi i PDK-së duhet ta vazhdojë edhe në nivele të tjera procesin e dekriminalizimit.
Sipas tij, nuk ka asnjë kuptim të jesh bartës i një institucioni publik derisa ke aktakuzë të konfirmuar. “Një veprim i tillë duhet të përkrahet dhe përshëndetet, pavarësisht se cila parti politike ka marrë vendim. Mendoj se edhe subjektet e tjera politike duhet ta ndjekin shembullin e z. Veseli, duke i larguar zyrtarët e tyre nga pozitat publike dhe partiake, sepse nuk ka mundësi tjetër. Ose duhet të largohen nga institucionet ata që janë në kundërshtim me ligjin ose t’u japim fund ambicieve për shtetndërtim dhe për krijimin e një shoqërie demokratike”, ka thënë Shala.
Si hap të mirë veprimin e Veselit e ka parë edhe analisti tjetër politik, Imer Mushkolaj.
“Veprimi i sotëm i Veselit është mesazh i mirë, por nuk do ta dekriminalizojë PDK-në. Korrupsioni dhe krimi janë postulate mbi të cilat është e krijuar PDK-ja, por edhe disa parti të tjera në Kosovë. Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në veprimin e Veselit. Ai po përpiqet të tregojë se është i fortë tash, pas rizgjedhjes kryetar i partisë, por me këta zyrtarë ai ka qeverisur dhe bashkëpunuar tash sa vite”, ka thënë Mushkolaj për “Epokën e re”.
Ndërsa Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar se ky duhet të jetë standard i ri i qeverisjes në Kosovë.
“Kërkesa e Institutit të Kosovës për Drejtësi për qeveri me duar të pastra ka filluar të jetësohet. Vendimi i kryetarit të PDK-së, z. Kadri Veseli, është fillim i mirë dhe jep shpresë. Personat me aktakuza dhe që kanë probleme me ligjin nuk kanë vend në institucione publike dhe se paku në një parti politike. Së paku kështu u premtua. Le të shpresojmë se ky do të jetë standard i ri i qeverisjes në Kosovë”, ka vlerësuar Miftaraj, duke shtuar se këtë qasje duhet ta ndjekin edhe partnerët e tjerë të koalicionit qeverisës. “Qasja e tillë duhet të ndiqet edhe nga kryeministri Haradinaj me ministrat nga AAK-ja, Fatmir Limaj në Nisma dhe partitë që janë në pushtet dhe opozitë, jo vetëm në nivel qendror, por edhe në atë lokal. Një shtet që aspiron vlerat e Bashkimit Evropian nuk mund dhe nuk duhet të lejojë që të qeveriset me njerëz që kanë probleme me ligjin”, ka thënë thënë Miftaraj.
(Muhamet KOCI)