Analistët: Zvarritja e mbajtjes së zgjedhjeve bllokon punën e institucioneve
Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, zgjedhjet e parakohshme janë duke u parë si të pashmangshme.
Analistët politikë kanë thënë se nuk ka hapësirë, e as legjitimitet që koalicioni PAN të propozojë kandidat të dytë për kryeministër. Edhe partitë politike janë të gatshme për zgjedhje te reja, ashtu si edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare janë të pashmangshme, pas dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj.
Kështu ka thënë për “Radio Kosovën”, Taulant Kryeziu nga instituti EPIK. Sipas tij, pas dorëheqjes së Haradinajt dhe gatishmërisë së tij që vendi të shkojë në zgjedhje, nuk ka hapësirë që koalicioni PAN, bashkë me presidentin, të madatojnë një kandidat të dytë për kryeministër.
“Me dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj, dhe me kërkesën e partisë së tij që për qeverinë e ardhshme të vendosë sovrani, kuptohet se brenda koalicionit PAN nuk ka mundësi të ketë konsensus për një kandidat të dytë, dhe rrjedhimisht i bie se rruga më e mirë do të ishte shpërbërja e Kuvendit dhe caktimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme”, tha Kryeziu.
Edhe analisti politik, Imer Mushkolaj, ka pohuar se nuk ka hapësirë që të ketë një mandatar të dytë.
Sipas tij, zvarritja e mbajtjes së zgjedhjeve do të mund të bllokonte punën e institucioneve të vendit.
“Presidenti Hashim Thaçi duhet që sa më shpejt, duke respektuar edhe afatet kushtetuese, të shpallë zgjedhjet e parakohshme. Përndryshe, nëse do të ketë përpjekje për të zvarritur procesin, për ndonjë qëllim të caktuar, atëherë mund të ndodhë që ne të përballemi me situata bllokuese, çfarë kemi pasur në të kaluarën”, ka thënë Mushkolaj.
Partitë politike janë shprehur të gatshme që zgjedhjet të mbahen sa më shpejtë. Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, të shtunën, pas kthimit nga Uashingtoni, në një konferencë për media, ka thënë se zgjedhjet janë të pashmangshme.
Ndërkohë, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka bërë thirrje që sa më shpejt të caktohet data e zgjedhjeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është deklaruar i gatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për “Radio Kosovën” se ky komision detyrë kryesore ka organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato kërkohen.