Analisti i sigurisë: Planet për të ndarë territorin e Kosovës janë serioze
Burim Ramadani, analist i sigurisë, ka thënë se ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në veri kanë hapur një faqe të re të kërcënimeve të sigurisë, në mënyrë krejtësisht të ngjashme me ato që janë parë në vitet 2014-2015 në lindje të Ukrainës, përkatësisht në rajonin e Donetskut.
Në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka theksuar se rreziqet dhe kërcënimet e sigurisë janë serioze.
Sipas Ramadanit, planet për të ndarë territorin e Kosovës janë serioze.
“Operacionet për të organizuar njëlloj kryengritje janë serioze. Prandaj, edhe reagimet, planifikimet dhe koordinimet vendore e ndërkombëtare duhet të jenë serioze në vazhdimësi. Nuk mund të përjashtohen assesi opsionet që prapa këtij operacioni të grupit paramilitar të Serbisë qëndrojnë mësuesit rus të Qendrën Ruso-Serbe të Spiunazhit në Nish të Serbisë”, është shprehur ai.
Ramadani ka thënë se Serbia ka hapur një fazë të re të tentimit për destabilizim të Ballkanit.
“Po e bën në mënyrë krejtësisht të çmendur, sepse po dëshiron të tentojë të luftojë me të njëjtin armik ndaj të cilit e ka humbur luftën në vitin 1999. Pra, të luftojë edhe kundër Kosovës edhe kundër NATO-s në të njëjtën kohë. Fatkeqësisht, NATO po e mban Serbinë edhe më tutje në Partneritet për Paqe. Paramendojeni! Serbia në Kosovë rrezikon pikërisht ushtarët e NATO-s, ndërsa në rajone tjera bashkë me NATO-n ofron paqe. Kjo është më shumë se hipokrizi. Prandaj, unë besoj plotësisht se NATO do ta përzë Serbinë nga Partneriteti Për Paqe. Serbia ka dëshmuar që nuk është partner serioz dhe kredibil për operacione të përbashkëta me NATO-n në paqe. Ajo është kundërshtare e NATO-s, sepse të tillë e ka padronin, përkatësisht Putinin”.
“Kështu, Serbia edhe njëherë i ka shërbyer qëllimit nacional të Rusisë. Ka tentuar të nis një konflikt të hapur në Ballkan, kësaj radhe edhe kundër NATO-s. Qëllimi është i identifikueshëm, sepse Rusisë i duhet dëshpërimisht të hapen konflikte në zona tjera të botës, ku NATO dhe SHBA është e interesuar të ketë paqe dhe stabilitet”, thotë Ramadani.
Ai ka thënë se institucionet e sigurisë duhet të vazhdojnë punën e tyre në nivel të lartë të vigjilencës, duke pasur parasysh se operacioni i Serbisë nuk beson të ketë përfunduar.
“Koordinimi midis institucioneve të sigurisë është i domosdoshëm dhe duhet vazhdimisht të jetë i plotë. Jam i sigurt që sektori i sigurisë në Kosovë është profesional, i ndërtuar dhe kompletuar në nivel të lartë të standardeve demokratike dhe si i tillë komunikon në nivele të zhvilluara profesionale”, është shprehur Burim Ramadani.
Kosova ka nevojë për garanci sigurie