Analisti Kojiq: Ai që ishte pjesë e sulmit në Banjskë, është në krah të Dodikut
Pas paralajmërimeve të politikanit radikal serb në Bosnjë e Hercegovinë, Millorad Dodik për ndarjen e Republikës Srbska nga ky shtetet, shihen si shqetësim edhe për gjithë rajonin. Analisti Rexho Kojiq tha se është një situatë jashtëzakonisht interesante dhe e rrezikshme, pasi njeriu që ishte pjesë e sulmit në Banjskë, është në krah të Dodikut.
“Ky 9 janar ka sjellë edhe reagime më të ashpra të ndërkombëtarëve, por edhe reagimet nga Sarajeva që janë të pritura. Këtë herë ministri i sigurisë, Zukan Helez e paralajmëroi që çdo pjesëmarrës nga Ushtria e Bosnjës dhe Hercegovinës që ka marr pjesë në festimin e 9 janarit do të sanksionohet. Duhet të kemi parasysh edhe një gjë shumë serioze, se njeriu që ka qenë pjesë e sulmit në Banjskë, Aleksandër Vulin tani është pjesë e senatit të Republikës Serbska. Padyshim që diçka e madhe po përgatitet”, tha Kojiq.
Nuk është e paqëllimshme, sipas tij, që Vulin nga Serbia shkon në Republikën Serbe.
“Ka një mesazh jashtëzakonisht serioz. Duhet të kemi parasysh që ka edhe përkrahjen e plotë të Serbisë. Kjo shihet, sipas disa veprimeve, që Serbia i ka ndërmarrë. Ne ndoshta kjo perspektivë që kemi përjetuar tani dhe disa trazira në veri dhe sulmi, jemi të vetëdijshëm se çka paraprinë këto ngjarje”, deklaroi ai.
Kurse gazetari Menduh Hysa, tha se paralajmërimi i Diodikut për shkëputje nuk e shqetëson, sepse sipas tij, janë dy gjëra që e bëjnë të pamundur një gjë të tillë, “është reagimi i jashtëzakonshëm i NATO-s dhe është karta të cilën Bashkimi Evropian e ofron për integrimin e Ballkanit Perëndimor”.
Hysa tutje shtoi se Dodik nuk ka as mbështetje sa thuhet prej Beogradit zyrtar.
“Unë gjykoj se edhe Beogradi zyrtar ditëve të fundit është në një presion të jashtëzakonshëm nga NATO-ja, qoftë nga Brukseli, por edhe nga Mbretëria e Bashkuar. Kështu që në një të ardhme të afërt, do të ndodhin veprime shumë të paparashikuara, ku Serbia mund të ofrohet më afër NATO-s dhe përfundimisht të orientohet nga Brukseli ”, tha ai.
Sipas Hysës, Serbia e ka të pa mundur t’i rezistojë presionit të madh, i cili çdo ditë e më shumë do të dalë në pah, duke shtuar se është edhe rasti Banjska, i cili do të sqarojë shumë gjëra dhe se Serbia do të goditet keq nga raporti për rastin e Banjskës i cili pritet të dal së shpejti.
Kastrati: Dodik mund ta destabilizoj rajonin
Nexhmedin Kastrati – pjesëmarrës në luftën e Bosnjë Hercegovinës, tha se paralajmërimet e Dodik duhet të merren seriozisht, sepse Dodiku ka fuqi për destabilizimin e Bosnjës dhe rajonit.
Në RTK, ai tha se paralajmërimet e Dodikut për bashkimin me Serbinë, janë një sinjal edhe për BE-në dhe SHBA-të.
“Çdo organizatë, çdo shtet serioz i merr kërcënimet, pretendimet dhe trazirat shume seriozisht dhe duhet të merret si problem serioz. Dodiku e ka fuqinë e mjaftueshme për me destabilizu një shtet ose një republikë, ka përkrahje të madhe, është udhëheqës i një partie serioze ne Bosnjë e Hercegovinë, është pjesë e pushtetit të Bosnjës kështu që realisht mundet me destabilizu shtetin”, tha Kastrati.
Ndërkaq Driton Lajçi tha se udhëheqësin serbëve të Bosnjës, nuk duhet shikuar ndaras nga gjeopolitika. Nuk mund ta analizojmë dhe t’i kualifikojmë veçmas deklarimet e tij individuale të çfarëdo natyre qofshin ato, konsideron ai.
Sa herë që ka lëvizje kudo në rajon dhe Ballkan, Dodiku, Pllavshiqi dhe të tjerët me radhë, e ngritin zërin. “Sepse këta mund të dalin prej këtij kazani juridik e diplomatik të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili në vitin 1992 me rezolutë e ndalon krijimin e shtetit serb në kuadër të ish Jugosllavisë, në kuadër të Bosnje e Hercegovinës…”, tha ai.