Analisti kroat: Vuçiqi është çetnik, nuk është dashur të ftohet kurrë në Dubrovnik
Analisti i njohur kroat Goran Vojkoviç ka thënë se prania e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Dubrovnik nuk i shërben askujt.
Sipas tij, Vuçiqi nuk është dashur të ftohet fare në një samit ku morën pjesë liderët e të gjithë rajonit.
Sipas Vujkoviçit, ajo çka bëri dje kryeministri kroat Zoran Plenkoviq ishte hap i keq politik.
“Aleksandar Vuçiq, një çetnik i rruar, kurrë, askund, kurrë dhe në asnjë kombinim nuk duhej të merrte ftesë për të vizituar Dubrovnikun. Vuçiq, lideri i një vendi që ende mban marrëdhënie shumë të ngushta me Rusinë, dhe mediat nën kontrollin e tij mbështesin kryesisht imperializmin rus dhe agresionin rus, thirret në Dubrovnik”, shkruan Vujkovic në analizën e tij për mediumin kroat Index.hr.
Madje analisti kroat vlerëson se Vuçiqi duhej të ishte dëbuar përgjithmonë nga Kroacia shumë kohë më parë.
“Aleksandar Vuçiq duhet të ishte persona non grata në Republikën e Kroacisë shumë kohë më parë. Ai çetnik i rruar pastër u bë anëtar i Partisë Radikale Serbe në 1993. Në vitin 1995 u bë sekretar i përgjithshëm i partisë dhe po atë vit vizitoi Glinën e atëhershme të pushtuar, ku “u bë i famshëm” me një fjalim në të cilin u premtoi të mbledhurve se Krahina serbe dhe Glina nuk do të ishin kurrë Kroaci. Para disa vitesh, u shfaq një video e Aleksandar Vuçiqit nga viti 1995, ku shfaqet ai me kriminelin Sheshel në pozicionet serbe mbi Sarajevë. Të armatosur”.
Vujkovic e vazhdon analizën e tij, duke thënë se është pikërisht Vuçiq, njëri nga ata që janë fajtorët kryesorë për të gjitha luftërat dhe tragjeditë në ish-Jugosllavi të viteve të 90-ta.
“Vuçiqi dhe të ngjashmit e tij u kanë bërë aq shumë të këqija të gjithë popujve, saqë ai kurrë nuk duhet të lejohet të hyjë në Kroaci…kurrë”.