Media ruse: Autoritetet serbe duan ta legalizojnë pavarësinë e Kosovës
Agjencia ruse e lajmeve “Regnum” sjell një opinion të analistes serbe Dragana Trifkoviq, në lidhje me zhvillimet e fundit në Serbi, në raport me marrëveshjen përfundimtare me Kosovën.
Në analizën e saj, Trifkoviq sulmon udhëheqësit serbë, duke i akuzuar se nuk po i shfrytëzojnë rrethanat favorizuese për Serbinë por, si duket, janë duke nxituar që ta legalizojnë pavarësinë e Kosovës, duke nxituar më shumë se vet shqiptarët, përcjell Telegrafi.
Ajo shton se marrëveshja përfundimtare Kosovë – Serbi, e cila do të shtynte Serbinë që të hiqte dorë nga Kosova, nuk është arritur deri më tani vetëm për shkak të konflikteve të brendshme në mes të partive politike shqiptare.
Sipas Trifkoviqit, autoritetet serbe janë të gatshme për marrëveshjen e cila do ta nënkuptonte heqjen dorë nga me se 15 për qind të territorit serb, nën pretekstin se kjo do të çonte në arritjen e paqes afatgjatë me shqiptarët.
Trifkoviq thotë se një marrëveshje e tillë mund ta çonte Serbinë në konflikt të brendshëm, pasi shumica e qytetarëve dhe Kisha Ortodokse Serbe e kundërshtojnë me forcë çdo marrëveshje që heqë dorë nga territori i Kosovës.
Sipas saj, Serbisë nuk i duhet një zgjedhje e shpejtë, por një proces strategjik afatgjatë, në kuadër të së drejtës ndërkombëtare dhe Rezolutës 1244.
Dragana Trifkoviq, përveç që merret me analiza për agjencinë ruse “Regnum”, është politikane dhe udhëheqëse e Institutit për Kërkime Gjeostrategjike me seli në Beograd. Është e njohur për qëndrimet e saj pozitive për rusët. Gjithashtu, ka lidhje me strukturat politike ruse dhe ato të sigurisë. Trifkoviq jeton dhe vepron në relacionin Moskë-Beograd.