ANALIZË 4 / Reflektimi i zhvillimeve ndërkombëtare në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës
Prof. ass. dr. Sabri Kiçmari
4.2. Pranimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare
Pranimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara është problem serioz i politikës së jashtme të Kosovës. Pengesë primare për pranimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara paraqet neni 4, al. 2 i Kartës së Kombeve të Bashkuara, sipas të cilit, “pranimi i një shteti të ri anëtar të Kombeve të Bashkuara rezulton përmes vendimit të Asamblesë së Përgjithshme, pas rekomandimit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara” (UNO 1945). Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara objektivisht nuk mund të aprovojë një rekomandim në rast se njëra nga pesë vendet me të drejtë vetoje (ShBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Republika Popullore e Kinës dhe Federata Ruse) voton kundër.
Bazuar në qëndrimet e deritanishme, Federata Ruse bën pjesë në mesin e vendeve që e kundërshtojnë ashpër pavarësinë e Republikës së Kosovës që nga shpallja e saj më 17 shkurt 2008. Vetë presidenti rus Vladimir Putin e kishte përshkruar shpalljen e Republikës së Kosovës si “një ‘precedent të tmerrshëm’ që do t’i kthehet Perëndimit ‘në fytyrë’” (AFP 2008). Rusia u mundua pa sukses ta shpallte të pavlefshme Deklaratën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës përmes Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Një iniciativë e tillë u bllokua nga tri vendet perëndimore anëtare të Këshillit të Sigurimit (ShBA, MB dhe Franca) me të drejtë vetoje. Në mars të vitit 2014 presidenti rus Vladimir Putin do ta shfrytëzonte rastin e Kosovës si justifikim për t’ia bashkangjitur me dhunë Krimenë Federatës Ruse (Putin 2014). Qëndrimi rus paraqet një paradoks të llojit të vet. Edhe pse politika e jashtme ruse e shfrytëzon “precedentin e Kosovës” si rast për ta argumentuar bashkëngjitjen e dhunshme të Krimesë, ajo nuk e njeh Republikën e Kosovës, madje lobon ashpër kundër pranimit të saj në OKB dhe organizatat ndërkombëtare.
Edhe Republika Popullore e Kinës nuk e pranon pavarësinë e Republikës së Kosovës. Ditën e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Republikës Popullore të Kinës, z. Liu Jianchao, pati deklaruar se “Kina shpreh shqetësimin e saj të thellë për shpalljen unilaterale të Deklaratës së Pavarësisë” (Beck, 2008). Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Kombet e Bashkuara Wang Guangya, një ditë pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, do të deklarohej më i matur. Ai do ta konsideronte çështjen e statusit të Kosovës si “shumë të komplikuar dhe sensitive”, por në anën tjetër do ta përsëriste pozicionin se Kina është “kundër aksioneve unilaterale” (United Nations: “5839-th Meeting of Security Council”, 2008).
Edhe pse gjuha diplomatike e qeverisë kineze është më e kujdesshme se ajo ruse, dhe bazohet kryesisht në ftesën për negociata dhe për zgjidhjen e problemeve në rrugë paqësore, qëndrimi për të mos njohur Republikën e Kosovës nuk ka shënuar ndonjë ndryshim. Republika Popullore e Kinës ka votuar kundër pranimit të Kosovës në UNESCO dhe Interpol si dhe ka deponuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë më 7 dhjetor 2009 një deklaratë kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe në mbrojtje të integritetit territorial të Serbisë (International Court of Justice 2009: 34).
Fakti se Federata Ruse dhe RP e Kinës e kanë të drejtën e vetos në KS të OKB, pranimi i Republikës së Kosovës në Kombet e Bashkuara mund të rezultojë vetëm nga ndryshimi i qëndrimit, të paktën nga abstenimi eventual, i këtyre dy vendeve. Një gjë e tillë nuk pritet të ndryshojë në afat të shkurtër. Rrjedhimisht gjasat për pranim të Kosovës në OKB, pa një dakordim të këtyre dy vendeve, janë minimale. Këtë fakt politika e jashtme e Kosovës duhet ta regjistroj dhe të mbesë me këmbë në tokë, në terrenin real. Politika e jashtme duhet të jetë e vëmendshme se, me gjasë, Kosova do të pret më gjatë për pranim në OKB. Por, ky fakt nuk duhet të dekurajoj segmentet vepruese në politikën e jashtme për të hulumtuar mundësitë për ndryshim të qëndrimit të Republikës Popullore të Kinës dhe Federatës Ruse. Paralel me këtë, Kosova duhet të demonstrojë aftësinë e saj shtetërore në rrafshet e tjera, në mënyrë që në një moment të caktuar, si RFGJ në vitin 1972, të bind shtetet anëtare për aftësinë e saj shtetërore.
Çfarë duhet bërë? Janë dy rrugë të kalkulueshme nga këndvështrimi i politikës së jashtme të Kosovës. Këto dy rrugë janë të bazuara në shembujt e dy vendeve, të cilat janë përballur me pengesa identike: Shembulli i Republikës Popullore të Kinës dhe ai i Palestinës.
Republika Popullore e Kinës kishte mbetur jashtë Kombeve të Bashkuara deri në vitin 1971. Meqenëse çdo iniciativë për pranimin e saj bllokohej nga ShBA përmes të drejtës së vetos në Këshillin e Sigurimit, u ndoq rruga përmes Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Më 25 tetor 1971, Rezoluta 2758 e propozuar nga Shqipëria, fitoi mbështetjen e 76 vendeve, përballë 35 vendeve, që votuan kundër dhe 17 vendeve që abstenuan. Në tekstin e Rezolutës precizohej se “Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara […] vendos të përcaktojë të gjitha të drejtat e Republikës Popullore të Kinës dhe të njohë përfaqësuesit e qeverisë së saj si përfaqësuesit e vetëm të ligjshëm të Kinës në Kombet e Bashkuara dhe që tani e tutje të largoj përfaqësuesit e Chiang Kai-shek nga vendi, që ata kanë zënë pa të drejtë në Kombet e Bashkuara dhe në të gjitha organizatat e saj” (UNO 1971). Pra përmes kësaj Rezolute e drejta e përfaqësimit të popullit kinez bartet nga Taivani (Republika e Kinës), te Republika Popullore e Kinës, përmes një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme.
Në rastin e Republikës Popullore të Kinës nuk kemi të bëjmë me pranimin e një anëtari të ri, por me bartjen e kompetencës përfaqësuese nga njëri shtet i të njëjtit komb te shteti tjetër. Ky rast vështirë se mund të gjejë zbatim në shembullin e Kosovës. Kosova është shtet i ri dhe me pranimin e saj do të shtohej numri i vendeve anëtare, kurse në rastin e pranimit të Republikës Popullore të Kinës vetëm ju tërhoq e drejta e përfaqësimit Qeverisë së Republikës së Kinës (Taivanit). Tajvani mbeti që nga ajo kohë jashtë sistemit të Kombeve të Bashkuara.
Rasti i Palestinës është më lehtë i zbatueshëm për rastin e Kosovës. Palestina u pranua më 29 nëntor 2012 si anëtare vëzhguese në Kombet e Bashkuara. Për të fituar statusin e vëzhguesit nevojiten vetëm shumica e thjeshtë e vendeve anëtare. 138 nga 193 vende anëtare të OKB votuan pro dhënies së statusit të vëzhguesit Shtetit të Palestinës. Vetëm nëntë shtete votuan kundër, kurse 41 shtete abstenuan.
Statusi i vendit vëzhgues i solli Palestinës disa përparësi të rëndësishme: të drejtën për të diskutuar dhe për të propozuar rezoluta në lidhje me zhvillimet në vendin e tyre; Qasja në Agjencitë e Kombeve të Bashkuara siç është Gjykata Penale Ndërkombëtare; Mundësia për të aktualizuar procese gjyqësore kundër veprimeve ushtarake të Izraelit (Bundeszentrale für politische Bildung 2012).
Emërtimi zyrtar për statusin e vëzhguesit të Kombeve të Bashkuara është “Shtet joanëtar” (angl. Non-Member-State). Shtetet joanëtare pranojnë ftesë për të marrë pjesë si vëzhgues në sesionet dhe punën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe kanë të drejtë të kenë mision të përhershëm vëzhgues në Selinë Qendrore të OKB. Kosova i siguron lehtë shumicën e thjeshtë për pranim në Kombet e Bashkuara për statusin e vendit vëzhgues. Për të bërë këtë hap, është parakusht procedural anëtarësimit në të paktën njërën nga agjencitë e specializuara të Kombeve të Bashkuara.
Duke pasur parasysh faktin se Federata Ruse dhe Republika Popullore e Kinës nuk pritet të ndryshojnë qëndrim, në afat të shkurtër kohor, për të penguar pranimin e Republikës së Kosovës përmes të drejtës së vetos në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, politika e jashtme e Republikës së Kosovës do të duhej të analizoj mundësinë për të plotësuar parakushtet e nevojshme për pranimin në Kombet e Bashkuara me statusin e vendit vëzhgues, përkatësisht të Shtetit Jo-Anëtar. Përmes këtij pranimi Republika e Kosovës do të siguronte një numër përparësish: Kosova do të pranonte ftesë për të marrë pjesë si vëzhgues në sesionet dhe punën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, do të kishte të drejtë të ketë mision të përhershëm vëzhgues në Selinë Qendrore të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, të drejtën për të diskutuar dhe për të propozuar rezoluta në lidhje me zhvillimet në Kosovë, qasje në Agjencitë e Kombeve të Bashkuara siç është Gjykata Penale Ndërkombëtare, mundësi për të iniciuar procese gjyqësore kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare, do të kishte qasje në shumicën e mbledhjeve dhe dokumenteve relevante të Kombeve të Bashkuara etj. Zvicra, Austria, Finlanda, Italia dhe Japonia janë vetëm disa nga shtete që kanë pasur statusin e vëzhguesit për vite të tëra, para se të pranoheshin në Kombet e Bashkuara (UNO 2019).
Lëvizja e pesë vendeve anëtare të BE dhe katër vendeve anëtare të NATO, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, është më realiste se sa pranimi më të drejta të plota në OKB. Ato mund të binden më lehtë për të ndjekur politikë unike, konform vlerave euroatlantike. Partnerët tanë brenda këtyre dy strukturave multishtetërore mund ta precizojnë momentin e volitshëm. Investimi i energjive të politikës së jashtme të Kosovës në këto dy procese është më i domosdoshëm, ashtu siç është realiste edhe mundësia e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Në rastin e UNESCO-s dhe Interpolit, do të duhej pritur më gjatë dhe analizuar gjendja më me kujdes. Fakti se kërkohen 2/3 e vendeve anëtare për pranim, e komplikon situatën, sidomos në kontekstin aktual ndërkombëtar. Një dështim i sërishëm do të ndikonte edhe më keq në statusin e Republikës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Dështimi gjithmonë ka një influencë negative dhe ka rrezik të fitimit të atributit të shtetit të dështuar. Politika e jashtme e Republikës së Kosovës duhet të bëjë hapa serioz në demonstrimin e aftësisë së saj shtetërore në fushën e ekonomisë, shtetit të së drejtës, atë ushtarake dhe në politikën e jashtme për të shtuar gjasat për pranim në organizatat e lartpërmendura. (Vijon)