Analizë për “American Conservative”: Pse të shqetësohemi për Kosovën?

04 prill 2024 | 18:04

Doug Bandow, ish-asistenti special i ish-presidentit amerikan Ronald Reagan dhe tani pjesë e Institutit Cato ka analizuar gjendjen në Kosovë me një shkrim me titullin “Pse të shqetësohemi për Kosovën? për “The American Conservative”. [Why care about Kosovo]

Ai ka vizituar Kosovën këto ditë dhe ka vlerësuar se shenjat e luftës ende janë të dukshme. Ai ka vlerësuar se ndasitë etnike dhe fetare vazhdojnë të pengojnë kosovarët drejt avancimit. Për të ndihmuar në këto çështje ai ka përmendur “Hardwired Global”, grup që punon për të thyer barrierat mes komuniteteve dhe popujve.

“Ani pse lufta ka përfunduar prej kohësh, Prishtina dhe Beogradi kanë mosmarrëveshje politike. Beogradi refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës. Pothuajse gjysma e qeverive të botës, duke përfshirë pesë anëtarë të Bashkimit Evropian, refuzojnë shtetësinë e Kosovës. Më e rëndësishmja është refuzimi i Rusisë që ta lejojë Prishtinën të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara. Kjo i mundëson Moskës ndikim të vazhdueshëm në Serbi, duke e shqetësuar BE-në teksa vazhdon lufta në Ukrainë”, ka shkruar ai.

Bandow përmend edhe ndasitë e thella në Kosovë. Ai përmend edhe situatën në veri teksa serbët në këtë pjesë të Kosovës vazhdojnë t’i rezistojnë autoritetit nga Prishtina, përcjell gazeta online Reporteri.net.

“Kosova nuk mund t’i ikë historisë. Memorialet për heronjtë e vdekur janë gjithkund. Politika për kohë të gjatë është dominuar nga ish-luftëtarët. Edhe sot shteti vlerësohet si ‘pjesërisht i lirë’ nga Freedom House. Disa prej luftëtarëve ishin pjesë e rrjeteve kriminale, duke nxitur evropianët që ta quajnë Kosovën ‘vrimë të zezë’. Ani pse ky problem është tkurrur, ekonomia vazhdon të mbetet e lirë përkundër ndihmës nga jashtë dhe investimeve”, ka vlerësuar ish-asistenti i ish-presidentit Reagan.

Fëmijët nuk kanë kujtime të drejtpërdrejta me luftën, por jetojnë me realitetin e luftës, vlerëson Bandow. “Vizitova një shkollë që mbante emrin e një maturanti që vdiq duke luftuar si pjesëtar i Ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Busti i tij ishte në oborr dhe portrete të tij ishin varur brenda shkollës. Ka pak përpjekje për të nxitur pajtimin mes ish-armiqve”, shkruan ai.

Sipas tij, Kosova historikisht ishte shtëpi e islamit të moderuar, por kosovarët me të cilët ka biseduar, shqetësohen për ngritjen e fundamentalizmit. “Njëri mu ankua se ‘radikalizmi islamik po rritet në mesin e të rinjve dhe u promovua nga jashtë’. Një tjetër e quajti situatën ‘shumë të rrezikshme’. Ai përmendi rolin e keq të Turqisë, e cila sipas tij, kishte zëvendësuar Arabinë Saudite në promovimin e ekstremizmit. Të dy qeveritë kanë ndërtuar xhami dhe kanë mbështetur imamë”, ka shkruar ish-asistenti i Reagan.

Grupi Hardwired përmendi se historia e Kosovës ka lënë “shoqërinë të thyer me perspektivë të kufizuar për zhvillimin social dhe ekonomik”.

Një strategji e zakonshme është izolimi i komuniteteve, gjë që shpesh pakëson tensionet aktuale, por nuk arrin të zbusë armiqësitë afatgjata. Harwired vlerëson se “shekullarizmi i imponuar vetëm sa ka rritur tensionet, sidomos mes komuniteteve fetare konservatore”. Përpjekjet e tilla, përforcojnë pa dashje mesazhin e ekstremistëve.

Ai vlerëson se grupi Hardwired është duke bërë punë të mirë për vetëdijesimin e kosovarëve mbi rëndësinë e respektimit të jetës dhe dinjitetit të të gjithëve. Kështu, vlerëson ai, ndihmohet në zbutjen e mosbesimit dhe frikës që është ende e dukshme mes shumë fëmijëve dhe të rriturve.

Mënyra e vetme për të siguruar paqen e përhershme është të binden të gjitha grupet se suksesi i tyre kërkon respekt dhe bashkëpunim. Është mësim që edhe amerikanët duhet ta marrin për zemër.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Po vazhdon izolimi në dhomën e bardhë i tre banorëve,…