Anatomia e nazizmit serb: Sllobodan Millosheviqi – nga Fushë Kosova deri në Hagë (10)
Shkruan: Prof. dr. Agim ZOGAJ
Millosheviqi – rishfaqje e Hitlerit serb! (10)
Në takimet me gjeneralët serbe, Millosheviqi paralajmëronte luftë
Shtypi dhe mitingjet e “të vërtetës” e kishin ngritur me shpejtësi autoritetin e tij. Mirëpo, në rastin e Millosheviqit ishte edhe një karakteristikë: inteligjencia serbe, gati se me ndonjë përjashtim individual absolutist ishte në anën e tij. Madje, analistët vërejnë se ishte për t’u habitur si ndodhi që, edhe disa intelektual serbë, që në kohën e Titos mbaheshin si opozitar dhe madje në raste të caktuara kishin pasur guximin t’i kundërviheshin, kur ishte fjala për Millosheviqin, të gjithë ata u bënë të urtë, të dëgjueshëm dhe pro regjimit, edhe pse shihej se ishte diktatorial. Lojaliteti i intelektualëve serbë, serviliteti deri në nënshtrim ndoshta mund të shpjegohej edhe me faktin se Millosheviqi luajti aq fuqishëm në letrën nacionale serbe. Ajo, pra inteligjencia serbe e futi Millosheviqin në historinë më të re serbe.
Prandaj, nuk ishte e rastit pse afrimi i Millosheviqit me inteligjencën serbe nisi që nga viti 1988, ndërkohë që deri atëherë ai ishte në një luftë të pashpallur apolitike me disidentët serbë. Kthesa ndodhi në pranverën dhe verën e vitit 1988 kur Serbia festoi në Gazimestan 600-vjetorin e Betejës së Kosovës. Pikërisht në këtë kohë, Millosheviqi e gjykon konfliktin midis Partisë dhe inteligjencës, duke dhënë shenja me këtë rast se është për strategjinë e afrimit të tij me inteligjencën dhe me disidentët serbë.
Studiuesit ndërkombëtar ndër ta edhe historianë bashkëkohor në vitet e nëntëdhjeta, pikërisht kur nacionalizmi serb ishte në kulminacion, duke bërë paralele historike të tij me nazizmin modern, kishin gjetur mjaft elemente të përbashkëta në fjalorin, deklarimet politike dhe veprimet diplomatike e luftarake të Sllobodan Millosheviqit me ato të Adolf Hitlerit. Në fakt, njohësit e mirë të rrethanave historiko-politike të periudhës së paraqitjes dhe ngritjes së Hitlerit në pushtet dhe të periudhës po ashtu të ngritjes politike dhe diktatoriale të Millosheviqit, me të drejtë vlerësojnë se ka mjaft elemente të përbashkëta në doktrinën e veprimit të tyre politik, ushtarak, policor, shtetëror dhe pushtues.
Ç’është e vërteta, Millosheviqi, për shumë çka është përpjekur që të jetë një imitim, një kopje, një rishfaqje e Hitlerit në kohërat moderne të shekullit XX, veçmas në kuptimin e doktrinës së tij politike, arrogancës emocionale dhe metodave e mjeteve makiaveliste të cilat i ka përdorur për të ardhur dhe për t’u ngritur dhe veçmas për tu mbajtur me çdo kusht në pushtet.
E tëra kjo, me të vetmin qëllim politik të nacionalizmit serb realizimin e programeve hegjemoniste të paraardhësve të tij në historinë e vjetër dhe atë moderne serbe. Esenca, platforma e të gjitha atyre programeve serbe, që nga “Naçertania” e Ilia Garashaninit, Car Dushanit, periudha e Cvejiqit, Pashiqit, Andriqit, Çubrilloviqit, Rankoviqit e deri te Millosheviqi ishte politikë e pretendimeve espanzioniste, hegjemoniste në radhët të parë ndaj popullit shqiptar.
Nga ana tjetër, edhe Hitleri edhe Millosheviqi, vazhdimisht janë thirrur në kategorinë e quajtur popullizëm dhe gjithashtu të dytë kanë konsideruar se në emër të popullit është e lejuar çdo gjë, pra edhe vrasjet, gjenocidet masive të popujve tjerë, që sipas tyre ishin cilësuar si kundërshtar, armiq. Hitleri fjala vjen, në hapat e parë të eksplikimit dhe popullarizimit të programit politik, nacional- shovinist, që në vitin 1931 kishte proklamuar luftën e pa kompromis kundër bolshevizmit dhe marksizmit. Në dhjetor të vitit 1931 ai kishte deklaruar se:” Ne jemi të bindur se fitorja e komunizmit në Gjermani do të ishte fillim i katastrofës së përgjithshme në botë. Gjashtë milionë komunistë në Evropë janë “rrezik komunist” në Evropë”. Nga ana tjetër, ngjashëm si ai, Millosheviqi, siç dihet që në vitin 1986, në frymën e Memorandumit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, miting pas mitingu kishte propaganduar luftën e ashpër kundër “irredentizmit dhe separatizmit shqiptar”, që sipas tij rrezikonte shkatërrimin e Jugosllavisë.
I ashtuquajturi “nacionalizem dhe irredentizem shqiptar” në fakt nuk ishte tjetër pos politikë e rezistencës shqiptare ndaj politikës serbomadhe, që në fakt ishte pengesë për krijimin e “Serbisë së Madhe”.
Hitleri kishte këmbëngulur se po “Luftonte për rendin e ri në botë, dhe se këtë do t’ia imponojë mbarë botës… Paqen nuk e rrezikojnë nacional-socialistët por militarizmi francez së bashku me bolshevizimin rus”. Ngjashëm kishte deklaruar edhe Millosheviqi duke thënë se, lufton për rendin e ri në Jugosllavi, dhe se sipas tij popujt tjerë po e shkatërrojnë Jugosllavinë, kurse ai ishte vënë në “mbrojtje” e saj, kuptohet sipas masës serbe. Derisa Hitleri menjëherë pas ardhjes në pushtet fliste për një revolucion stabiliteti, për revoltë kundër kaosit, për një puç të ligjshëm për ruajtjen e interesave të Gjermanisë, për hapje të fronteve të reja të punës të cilat sipas tij do të mbahet mend në histori ( Fjalimi në shkurt të vitit 1932 në Kongresin e Klubit të industrialistëve në Diserldolf) Milosheviqi, po ashtu me të ardhur në pushtet, kishte propaguar të ashtuquajturin “jogurtrevolucionin” përmes të cilës doktrinë i rrëzonte të gjitha ato udhëheqje të cilat i konsideronte si kundërshtare, siguri dhe përkujdesje për të gjithë serbët që ishin jashtë Serbisë, por edhe pozitë më të mirë ekonomiko – sociale të qytetarëve të Serbisë. Në fakt, në këtë periudhë Millosheviqi, ngjashëm si Hitleri, ua dha serbëve mundësinë e pjesëmarrjes në një jetë publike në formë të paradave, spektakleve, mitingjeve politike, me karakter popullist, krejt kjo në emër të “Mbrojtjes së popullit serb”.
Ndërkohë që me të gjitha mjetet, Millosheviqi po i krijonte kornizat “ligjore”, legale për krijimin e shtetit totalitar në Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë e Vojvodinë. Millosheviqi, i cili mjeshtërisht luajti me emocionet nacionaliste të popullit të vet dhe që po ashtu me dinakëri manipuloi me gjoja pozitën e pabarabartë të serbëve në Jugosllavi, në të gjitha paraqitjet e tij thirrej në rivendosjen e “barazisë” së popullit serb me popujt tjerë në Jugosllavi dhe madje edhe në ruajtjen me çdo kusht të Jugosllavisë nga ato forca të cilat sipas tij synonin shkatërrimin krijesës Avnojiane. Ai u thoshte gjeneralëve të përkatësisë serbe se edhe nëse do të nis lufta në Jugosllavi ajo do të jetë e shkurtër dhe e kufizuar, por nga fundi i viteve të ‘80-ta dhe fillimi i vitit 1991 ai edhe publik ishte kishte paralajmëruar se do të ketë luftë dhe se ajo është e pashmangshme.
Në fakt, sikur edhe në rastin e Hitlerit, Millosheviqi me demagogjinë politike dhe parullat e tij mashtruese po proklamonte luftën për vendosjen e paqes dhe ruajtjen e Jugosllavisë avnojiane, kurse nga ana tjetër ai po përgatitej intenzivisht për luftë. Dhe, po ashtu sikur Hitleri në vitet e sundimit të tij, ngjashëm edhe Millosheviqi nuk po përgatitej vetëm për një luftë, në rastin konkret kundër ne shqiptarëve, por për një seri luftërash, krejt kjo për të realizuar projektin e “Serbisë së Madhe”. Millosheviqi, një pasues besnik por jo i denjë i Hitlerit, po frymëzohej nga “Mein Kampf”, prandaj kishte marrë aq guxim sa që në tubimin e njohur popullist – nacionalist serb mbajtur në Gazimestan afër Prishtinës më 28 qershor 1988, të kërcënohej ultimativisht se: “Serbia ose do të jetë ose nuk do të jetë”! Pra, Millosheviqi edhe në këtë rast e kopjonte Hitlerin i cili në veprën e tij, “Mein Kampf” kishte shkruar se: “Gjermania ose duhet të jetë fuqi botërore ose të mos jetë fare”. Edhe në operacionet e para kundër Austrisë, Hitleri ishte deklaruar hapur për politikën e gjakut, duke paralajmëruar se: “Unë udhëhiqi politikën e dhunës duke shfrytëzuar të gjitha mjetet, pa respektuar mortalitetin dhe “kodeksin e nderit. Unë, në politikë nuk pranoj ligje. Politika është aso lojë në të cilën, lejohen të gjitha dredhitë…”. Millosheviqi, ndërsa i cili nuk ishte hiç më pak militant se Hitleri, u kërcënohej popujve tjerë duke paralajmëruar se: “Nëse duhet, do të ketë edhe gjak të derdhur për realizimin e synimeve tona…”(Fjalimi i tij në Gazimestan, afër Prishtinës, 28 qershore 1989).
Serbia me traditë egërsie ushtarake
Hitleri në metodën e tij të punës dhe të bashkëpunimit me bashkëpunëtorët ishte shumë i veçantë. Ai si pikënisje kishte dyshimin në çdo gjë, pra nuk i besonte asnjë bashkëpunëtori, madje ai mosbesim shkonte deri aty sa që, edhe pse ishte në relacione bashkëpunimi me ta, nëse e vlerësonte se duhej hequr dorë nga bashkëpunimi i mëtutjeshëm ai jepte urdhra për likuidim të tyre. Nga historia e diplomacisë janë të njohura metodat e tij të përdorura për eliminimin qoftë politik ose edhe fizik të bashkëpunëtorëve më të afërt, madje nga kreu i ushtarakëve të lartë. Veprimet e tilla, ai veçmas i ndërmerrte sa herë kishte hetuar dilemat më të vogla tek bashkëpunëtorët e tij të parë, në rastin e përgatitjes për të sulmuar Austrinë ose ndonjë shtet tjetër. Disa prej ushtarakëve të lartë të Qeverisë së Rajhut gjerman ishin shkarkuar dhe politikisht izoluar vetëm pse në bisedën me Hitlerin kishin shfaqur mëdyshje nëse duhej apo jo të fillohej sulmi. Nga ana tjetër, Hitleri si formë për ti komprometuar bashkëpunëtoret, kishte metodën e hartimit të dosjeve të tyre kështu që në situatat e pa qarta, Hitleri, në momentet e caktuara, atëherë kur atij i duheshin i nxirrte dosjet për bashkëpunëtorët e tij dhe u kërcënohej me ndëshkime të tjera. Prandaj, ai qysh në vitin 1932 deklaruar: “Unë që tani po organizoj diplomacinë time, kjo kushton shumë por unë fitoj në kohë. Unë kam urdhëruar që të formohen kartoteka për të gjithë njerëzit me ndikim në botë dhe të krijohen dosjet”. Në këtë kuptim, shumë më vonë pas luftërave në ish Jugosllavi, pra edhe në Kosovë ishte bërë e ditur se: “Policia serbe kishte përgatitur dosje speciale për të gjithë njerëzit me ndikim në ish Jugosllavi, pra jo vetëm për shqiptarët”.
Kjo metodë e Millosheviqit, e përdorur nga stili i veprimit hitlerian, kishte dhënë shumë efekte në periudhën e parapërgatitjes së luftës në ish Jugosllavi. Bashkëpunëtorët e tij kishin konstatuar se ai nuk kishte kurrfarë paragjykime ndaj askujt dhe ishte i aftë të hynte në konflikt me secilin. Kështu një nga një i linte pas kundërshtarët e vet politik, ose të mundur politikisht ose të injoruar përmes metodave të ndryshme policore. Me kundërshtarët e vet politik, pra hyjnë në konflikte dhe ballafaqime që nga fillimi i karrierës së tij. Të tillë e kishte stilin e punës politike dhe në këtë plan, pra në eliminimin politik e më vonë edhe fizik, ai ishte i pamëshirshëm. Mirëpo, po ashtu duhet konstatuar se Serbia sikur mezi kishte pritur që ta fitonte një udhëheqës të tillë i cili nuk duron kompromise, i cili është diktator. Në këtë kuptim, pra në fushatën për eliminimin e kundërshtarëve politik ndaj kursit të tij, dihet rasti i Agrokomercit në Bosnjë përmes dosjes së montuar të së cilës u eliminua politikisht e më pastaj edhe fizikisht boshnjaku Hamdija Pozderac, një kundërshtar i nacionalshovinizmit serb. Por, ai likuidoi jo vetëm politikisht por edhe fizikisht edhe bashkëpunëtor të tij të afërt, si Ivan Stamboliqin, Arkanin, dhe disa epror të lartë të Shërbimit serb të zbulimit, deri te ish Sekretari i Punëve të Brendshme të Serbisë, dhe njeriu për shumë vite i afërt me Millosheviqin, Zoran Sokoloviqin e shumë të tjerë. Kuptohet, që nga ardhja e tij në pushtet, Millosheviqi ishte i pamëshirshëm edhe ndaj atyre politikajve shqiptarë në Kosovë të cilët nuk i shkonin për shtati ose që përpiqeshin të bënin rezistencë politike. Edhe ndaj tyre, u përgatiten dhe u montuan akuza policore të konstruktuara dhe shantazhe të llojeve të ndryshme, deri në izolime dhe burgosje. Por, dhuna serbe dhe metoda e veprimit makiavelian të Millosheviqit në vitet e përmendura, sidomos kishin ardhur në shprehje kundër pjesëtarëve të Lëvizjes sonë kombëtare të rezistencës të cilët ndjekëshin, arrestoheshin, burgoseshin, dënoheshin me dënime drakonike, e disa prej tyre nga dhuna e përdorur nëpër burgjet serbe, në atdhe u kthyen të pa jetë. (Vijon)