Anatomia e nazizmit serb: Slobodan Milosheviqi – nga Fushë Kosova deri në Hagë (1)

09 dhjetor 2024 | 10:22

Drejt diktaturës dhe shtetit fashist në Serbi!

Shkruan: Prof. dr. Agim ZOGAJ

Diktatori serb, kasapi i Ballkanit, i akuzuari për krime lufte nga Gjykata e Hagës, Slobodan Milosheviqi, i lindur me predispozitat gjenetike për tu bërë vrasës në masë, është një ndër prijësit më famëkeq, një ndër përfaqësuesit modern të ideologjisë çetnike, për ne shqiptarët, i njohur, për programin e tij për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë. Ai, me të ardhur në pushtet, më 1986, filloi realizimin e planit për rrëzimin e autonomisë së Kosovës, të vitit 1974. Ngjashëm, sikur dikur, Hitleri, i cili, çifutët i fajësonte se, duan ta shkatërrojnë qenien e popullit, të racës gjermane, ashtu edhe Milosheviqi, popullin shqiptar të Kosovës e kishte identifikuar si elementin i cili, gjoja, e lufton qenien serbe, Serbinë dhe ish Jugosllavinë. Prandaj, në propagandën e tij, të modelit gebelsian, përmes miteve, Kishës Ortodokse Serbe, Shërbimit Sekret Serb, “Memorandumit” të akademisë serbe, popullin serb e përgatiti për luftë kundër popullit të Kosovës, si e vetmja mënyrë, sipas tij, për të na dëbuar, një herë e përgjithmonë nga vatrat tona shekullore, Dardanin Iliro – Arbërore! Milosheviqi, nuk kishte zgjedhur mjete, jo vetëm politike, por edhe të burgosjes, vrasjes së shqiptarëve, edhe para luftës së Kosovës, që, opinionin serb dhe atë ndërkombëtar ta bindte se, sipas tij, shqiptarët janë një racë e egër, e pa civilizuar, ardhacak, primitiv dhe se ata, pra, neve duhet të na shpërngulte, me plumba, bomba, bajoneta, përtej Bjeshkëve të Nemura!

Projektet, planet e tij, për dëbimin tonë nga trojet etnike shqiptare, janë, përpjekje për të zbatuar Projektet e Jovan Cvejiçit, Ilia Garashaninit, Vaso Qubrilloviqit, Ivo Andriqit, Aleksandar Rankoviçit, Dobrica Qosiqit etj. Në fakt, Milosheviqi, kishte bashkëpunim të drejtpërdrejt, me krerët e Lëvizjes Çetnike. Nga fundi i viteve të 80-ta, udhëheqësi më i njohur i Lëvizjes Çetnike në emigracion, Momçilo Gjujiqi, e kishte emëruar, Vojisllav, Sheshelin për Vojvodë. Shesheli, gjatë periudhës së luftërave në ish Jugosllavi, formoi njësite paraushtarake, çetnike, më pas e formoi, Partinë Radikale Serbe. Në mars të vitit 1998, në kulmin e agresionit ushtarak serb në Kosovë, Partia Radikale Serbe, u bë pjesë e Qeverisë së Serbisë me SPS e Milosheviqit, kurse, Shesheli u zgjodh, nënkryetar i Qeverisë serbe. Në të njëjtën Qeveri, ishte edhe e Majta Jugosllave /Jugoslovenska Levica/, e udhëhequr nga gruaja e Milosheviqit, Mira Markoviqi. Këto të dhëna, dëshmojnë se, Milosheviqi, veçmas me luftërat në ish Jugosllavi, përmes SPS-it ishte pjesë aktive e realizimit të Programit të Lëvizjës Çetnike, ideologët e të cilës Lëvizje, kryesisht vepronin nga ShBA dhe Kanada!

Rasti i organizimit, inskenimit të Masakrës në Kazermën e Paraqinit, meqrast, Shërbimi Sekret i Kundërzbulimit, ( KOS) vrau katër ushtarë dhe plagosi disa të tjerë, dhe më pas, botërisht u tha se, ata i ka vrarë, gjoja ushtari shqiptar nga Prizren, Aziz Kelmendi (i vrarë, të njëjtën natë, në oborrin e kazermës së Paraqinit, 1987), si dhe, vrasja e katër të rinjve serbë në kafiterinë, Panda në Pejë (1998), janë dëshmi se, Milosheviqi, njëjtë sikur Hitleri, nuk zgjidhte mënyrë, mjete për t’i realizuar qëllimet e tija. Me të njëjtën qëllim, për ta ruajtur pozitën e vetë, në vitin 2000, me urdhër të Milosheviqit, Sigurimi Sekret Serbe, e kishte vrarë, Ivan Stamboliqin, njeriun i cili, dikur e kishte sjellë në pushtet.

Publiku shqiptar, përmes fejtoni, i cili, po botohet në, portalin më të lexuar “Epoka e re”, do të merr informacione, argumente, fakte, për historinë e panjohur, të ardhjes në pushtet të Slobodan Milosheviqit, pushtetin e tij diktatorial, spastrimet politike në Serbi dhe në ish republikat e krahinat e ish Jugosllavisë, përgatitjet për luftërat e tij. Historia moderne politike e Evropës Juglindore dhe, përgjithësisht ajo e botës, me të drejtë, Milosheviqin, do ta konsiderojë, Kasapi i Ballkanit! Megjithatë, historia, jo vetëm shqiptare, do të përpiqet të jep përgjigje në pyetjet: si ndodhi që, aq gjatë, para dorëzimit të tij për në Gjykatën e Hagës, Perëndimi dhe veçmas BE-ja bashkëpunuan me te, dhe, Kasapin e Ballkanit e patën partnerë në bisedime? A nuk pati mundësi, Perëndimi, diplomacia e saj, veçmas amerikanët, që shumë më herët, para fillimit të luftërave në Kroaci dhe në Bosnjë, ta izolonin politikisht dhe, përmes forcave demokratike në Serbi, ta rrëzonin nga pushteti? Përse, në fakt, pas Marrëveshjes së Dejtonit /1995/, diplomacia evro-perëndimore /amerikane/, Milosheviqin, diktatorin, vrastarin e shpalli, Njeriun e Paqes në Ballkan? Sot, ndërsa, për habi, diplomacia evro-perëndimore, sikur dikur Milosheviqin, po e mbështet, po e përkrah, presidentin çetnik të Serbisë, Aleksandar Vuçiçin, dikur, bashkë me Sheshelin, udhëheqës i Partisë Radikale Serbe / çetnike!?
Historia politike e Serbisë po vazhdon, pa Slobodan Milosheviqin, por me bashkëpunëtorët e tij, të cilët janë besnik e të vendosur në zbatimin e politikës milosheviqiane, në bërthamën e të cilës është, ideologjia çetnike, e gjakut, e varreve, vrasjeve, e dëbimeve…! Derisa, shteti serb, prijësit e saj, udhëhiqen nga ideologjia çetnike, ideologjia e pushtimeve dhe e luftës, dje me Milosheviqin, sot me Vuçiçin, Vulinin etj. atëherë, është e kotë të pritet shtensionim në raportet midis Serbisë, agresore dhe Kosovës paqësore. Aq m; par;, pas sulmeve terroriste në Banjska dhe në Kanalin e Ibër – Lepencit. BE-ja e cila, hapur e përkrah Serbinë, në agresionin e saj diplomatik ndaj Kosovës së pavarur, padyshim, mban përgjegjësi!

Pse ishin vetëvra prindërit e Milosheviqit?

Kush është Slobodan Milosheviqi dhe si erdhi në postet më të larta të pushtetit serb?

Familja e Slobodan Milosheviqit rrjedhë nga vendi i quajtur Levoreçk afër Tuzit, në Mal të Zi. Ishte pra një familje malazeze, ndonëse, vetë Millosheviqi më vonë deklarohet me përkatësi serbe, kurse i vëllai i tij Bora (isha ambasador i Jugosllavisë në Rusi) deklarohej si malazez. Babai i tij quhej Svetozar, i cili e kishte vetëvra veten, kurse e ëma quhej Stanislava dhe rrjedhte nga familja Koljenshiq. Në prag të Luftës së Dytë Botërore familja Milosheviq ishte shpërngulur në Serbi, përkatësisht në qytetin e Pozharevcit, ku Slobodan Milosheviqi kishte lindur më 20 gusht 1941.
E ëma e Milosheviqit ishte mësuese, kurse babai profesor i gjuhës ruse dhe asaj serbe. Njohësit e familjes Millosheviq i kishin përshkruar prindërit e Milosheviqit të një natyre të rëndë, të ndërlikuar, me çka edhe shpjegohet divorci i tyre i hershëm. E ëma ishte komuniste, nga natyra dhe karakteri e ashpër ndaj vetes dhe tjerëve, e përkushtuar djemve dhe politikisht e angazhuar. Babai i Miloshevqit i kishte urrejtur komunistët, ndërkohë që as me Kishën nuk kishte pasur marrëdhënie të mira. Ai ishte i njohur për oratori, virtyt ky i cilësuar tek malazezët.
Fëmijërinë dhe rininë, deri në vitet e studimeve, Milosheviqi i kishte kaluar në Pozharevc të Serbisë, në prani të nënës dhe vëllait Borës. Pas mbarimit të luftës, babai i tij Stanislavi e kishte braktisur familjen dhe ishte vendosur në Mal të Zi.
Sipas dëshmitarëve të kohës, Milosheviqi nuk e kishte tërhequr vëmendjen e rrethit me asgjë të veçantë. Ditët e tij si gjimnazist kalojnë pa ndonjë të veçantë. E urrente sportin, nuk merrte pjesë në eskurzionet dhe pikniqet e përbashkëta cilat i organizonte shkolla, nuk merr pjesë gjithashtu edhe në takime të ndryshme të lira shoqërore të shoqeve dhe shokëve. Prandaj thuhej se ai “ nuk kishte pasur shokun e tij më të mirë”. Nga natyra ishte dukur i qetë dhe asnjëherë nuk ishte rrahur me shokë, gati se ishte një personalitet i tërhequr, mirëpo për moshën dhe atmosferën e kohës linte përshtypje se jetës po i qaset me seriozitet dhe frikë. Është karakteristike thënia e një profesori të tij i cili kishte deklaruar se “Vetëm Slobodani kishte besim që në orët e mbrojtjes ta sillte në klasë bombën dhe pushkën”. Një shok i tij shkolle për të kishte thënë se, Milosheviqin e paramendonte si një “ shef të ardhshëm të stacionit hekurudhor ose një nëpunës pedant”.

Njohja me Mirjana Markoviqin dhe ndikimi i saj politik

Orët e mësimit, aktivitetet politike dhe njohja me Mirjana Markoviqin (sociloge), bashkëshorten e tij të ardhshme, janë disa nga segmentet kryesore të cilat e karakterizojnë periudhën e Milosheviqit gjatë shkollimit të mesëm, pra njeriu i cili shumë vite më vonë do të jetë njeriu i parë i Serbisë, dhe personi kyç në shkatërrimin e ish Jugoslavisë titoiste. Njohësit e ndërtimit të personalitetit të tij, flasin se që nga ato vite ndikimi i Mirjana Markoviqit në te ishte i fuqishëm, në shumë raste edhe vendimtar dhe fatkeqësisht i kobshëm jo vetëm për te por edhe për miliona njerëz. Ata së bashku u rritën, u shkolluan, studiuan në Beograd, dhe kishin bindje të ngjashme politike gjatë tërë jetës, edhe pasi Milosheviqi arrestohet dhe gjykohet në Hagë, si kriminel lufte.
Mirëpo, nuk duhet harruar faktin se, fati i prindërve të Slobodanit dhe të Mirjanës, të cilës komunistët ia kishin pushkatuar nënën, kishte lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin shpirtëror dhe jo vetëm psikologjik të këtij qifti bashkëshortor. Ndoshta, madje, pikërisht ajo tragjedi e tyre e përbashkët i kishte lidhur edhe më fuqishëm njërin me tjetrin.
Dihet, babai i Milosheviqit, si profesor i gjimnazit në Podgoricë, kishte bërë vetëvrasje, në varrimin e të cilit nuk kishin marrë pjesë as gruaja e as djemtë. Ndërsa dhjetë vjet më vonë, edhe e ëma e Milosheviqit, Stanislava kishte vetvarë veten. Po ashtu edhe motra e babait të Milosheviqit, Darinka, e cila kishte jetuar në Vojvodinë kishte bërë vetëvrasje. Dhe edhe i vëllai i të ëmës së Milosheviqit, gjeneral, Milisav Koljenshiq ishte gjetur i vetëvrarë në shtëpinë e tij në Panqevë.
Në bazë të këtyre të dhënave për fatet personale, tragjike të prindërve dhe të afërmeve përkatësisht familjarëve të Slobodan Milosheviqit dhe Mirjana Markoviqit, jo pak analistë dhe hulumtues të biografisë jetësore të diktatorit serb, vlerësojnë se një fat i tillë tragjik, veçmas i familjes Milosheviq, më vonë, pra në kohën e sundimit të diktatorit dhe kriminelit Milosheviqi do të jetë shkas, për të gjetur lidhjet indirekte midis tragjedisë familjare dhe politikës së tij vrastare. Si duket është e vërtetë se, njerëzit të cilët kanë përjetuar drama dhe tragjedi të mëdha jetësore, shpesh në personalitetin e tyre bartin pasojat, reflektimet e atyre tragjedive të mëdha në zemrat dhe shpirtrat e tyre. Në rastin konkret kjo, pa dyshim mund ti përshkruhet Slobodan Milosheviqit por edhe bashkëshortes së tij Mirjana Markoviq, e cila pa arsye është amnistua nga veprat kriminale të bashkëshortit të saj.
Pas mbarimit të Fakultetit të Drejtësisë, Milosheviqi nuk ishte orientuar në profesionin e juristit për të cilin i kishte mbaruar studimet. Ai që herët, nga vitet e gjimnazit e kishte kuptuar faktin se duke i shërbyer regjimit mund të hapen të gjitha dyert e jetës. Që nga ditët e hareshme të shkollimit dhe veçmas pas përfundimit të studimeve Milosheviqi iu kishte përkushtuar angazhimeve politike. Për te vlente maksima: Formula e suksesit është Partia dhe pozitat udhëheqëse në te. Madje edhe në kohën kur ishte udhëheqës i bankës më të madhe dhe më të fuqishme jugosllave, Beobanka, Milosheviq në të njëjtën kohë ishte ushtrues i detyrës së organizatës së partisë në Qytetin e vjetër të Beogradit. Gjatë kohës së studimeve ishte njoftuar me Ivan Stamboliqin, i cili ishte përkrahësi i tij kryesor për ecjen dhe ngritje drejt majave të karrierës politike. Stamboliqi, të cilin me urdhrin e Milosheviqit në vjeshtë të vitit 2000 policia sekrete serbe e kishte ekzekutuar në një mal të Vojvodinës /Frushka Gor duke e hedhur në gropë të gëlqeres/.

Në fund, e vrau edhe mikun, mentorin e vet Ivan Stamboliqin

Pas njoftimit, gjatë viteve të studimeve, Ivan Stamboliqi dhe Slobodan Milosheviqi kishin vazhduar shoqërimin e tyre e cila lidhje më vonë ishte bërë aleancë e fuqishme politike. Udhëheqës i asaj aleance ishte Ivan Stamboliqi, karriera e të cilit ecte ngadalë dhe sigurt duke pretenduar që ai të zëvendësonte brezin e partizanëve udhëheqës serbë dhe madje edhe jugosllavë. Së bashku me Stamboliqin, drejt majave të karrierës, pushtetit dhe fuqisë politike po ngjitej edhe Milosheviqi. Së pari ishte zëvendës i Stamboliqt në ndërmarrjen gjigante industriale serbe, Tehngogas. Kur Stamboliqi e lëshoi postin udhëheqës, Milosheviqi u zgjodh drejtor i ri i Tehnogasit. Në vitet kur Ivan Stamboliqi ishte kryetar i Qeverisë së Serbisë, Milosheviqi ishte në detyrën e re, atë të kryetarit të Beobankës, një institucion shumë i fuqishëm financiar. Bashkëpunimi i tyre, pa dyshim se vente ndërlidhjet mes fuqisë politike dhe asaj ekonomike. Kur Ivan Stamboliqi në vitin 1982 u zgjodh kryetar i KQ të LK të Beogradit, Sloboda Miloheviqi u zgjodh anëtar i Kryesisë së KQ të LK të Serbisë, me qëllim që në mandatin vijues ta ndërroj mikun e tij në krye të komunistëve të Beogradit.
Ecjet dhe ngritjet politike të Milosheviqit dhe Stamboliqit vazhdonin pa pengesa të mëdha. Ngadalë por sigurt, ata po fitonin ditë e përditë fuqi më të madhe jo vetëm politike në Serbi. Në vitin 1984, Ivan Stamboliqin ishte zgjedhur për kryetar të KQ të LK të Serbisë, ndërsa shokun dhe bashkëpunëtorin e tij, Slobodan Milosheviqin e kishte zgjedhur për kryetar të LK të Beogradit. Në argumentet për zgjedhjen, emërimin e Milosheviqit në detyrën e kryetarit të LK të Beogradit, Ivan Stamboliq ndër të tjera kishte theksuar edhe kriteret sipas të cilave Milosheviqi ishte një kuadër i verifikuar, i fuqishëm, energjik, i pa kompromis etj. Dihej, se Beogradi, që nga koha e Titos identifikohej si një mjedis i ndërlikuar politikisht, si një qendër opozitare dhe “qerdhe e armikut”. Thuhet se gati që nuk ka pasur fjalim të Titos i cili nuk e kishte përmendur “nëntokën e Beogradit”. Prandaj, ndoshta edhe për këtë, Ivan Stanbolëiqi e kishte zgjedhur pikërisht shokun dhe bashkëpunëtorin e tij, Slobodan Milosheviqin, për kryetar të komunistëve beogradas. Kuptohet, në ato vite ai as që do të mund ta imagjinonte, se pikërisht një veprim i tij i tillë, shënonte fillimin dhe fundin e fatkeqësisë së Stamboliqit.
Në fakt, Milosheviqi kishte mundur të zgjedhte rrugë të tjera për ngritjen e karrierës së tij, jo në fushën politike por në atë ekonomike dhe financiare. Si bankier ishte mbi 60 herë në SHBA, natyrisht duke shfrytëzuar periudhën e liberalizimit pas vdekjes së Titos. Pra, për një njeri tjetër reformator, të guximshëm, ishin këto rrethana të favorshme të ndërtimit të karrierës.
Mirëpo, Milosheviqi ishte më dinak se sa mendohej, ndaj kur ishte çështja e karrierës së tij ai ishte krejtësisht pragmatik, i paskrupullt, ishte njeri i çastit, me instiktin e tij të theksuar për të ngritur me çdo kusht, pra edhe duke shkelur nëpër të tjerë. Qëllimi i tij ishte i qartë: pushteti, majat e tij dhe sundimi sipas masës së tij, natyrisht me emblemën e nacionalizmit, hegjemonizmit dhe nazizmit serb, ideologjisë çetnike! (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një autobiografi e një mësimdhënësi e po aq edhe e…