Anatomia politike e një lideri
Në një proces mjaft kompleks politik, siç kaloi Maqedonia në këto dy dekada, gjindshmëria për të vepruar me etikë dhe objektiv të qartësuar, nuk është vetëm arti i së mundshmes, por edhe një bagazh përvoje që manifestohet përmes nuhatjes së ‘tërmeteve’ politike, ku një drejtues i shkathtë do të dinte të amortizonte deri në maksimum pasojat rrënuese
Nga Gjyla HALILI
04.11.2019
Tetovë
Jetojmë në një kohë kur ambiciet për t’u bërë lider janë më të mëdha se idetë politike. Këto ambicie do të quheshin normale sikur të vinin prej një shkolle të re politike, mirëpo kur mendësia e vjetër paketohet me konkurrencë që nuk shkon përtej dëshirës për pushtet, atëherë mund të konkludojmë se në skenën e këtushme politike të shqiptarëve do të vazhdojë edhe një kohë agonia e garës pa ide dhe e konkurrencës pa ofertë.
Në anën tjetër, tash e disa vite kemi një parti politike shqiptare, e cila në disa palë zgjedhje imponohet si alternativë më serioze. Janë bërë disa analiza dhe ka shumë kush që mendon se suksesi i kësaj partie ka qenë i kushtëzuar nga shkalla e konkurrencës politike brendashqiptare. Ka shumë të vërteta në këtë konstatim, por ajo që e bën më kompleks natyrën e suksesit të kësaj force politike është konsistenca e saj për të shpie përpara kauza kombëtare. Dhe kjo nuk ka qenë e mundur të bëhet nëse në ballë të këtyre kauzave nuk do të ishte një lider i pathyeshëm, vizonar dhe mbi të gjitha promotor i mendimit dhe veprimit politik shqiptar, siç është Ali Ahmeti, karizma e të cilit tash më mund të shërbejë edhe si objekt studimi në katedrat e shkencave politike.
Një lider nuk është i suksesshëm , vetëm nëse i fiton zgjedhjet. Madje, kjo edhe nuk ka qenë asnjëherë intenca kryesore e Ali Ahmetit, pasi që pushtetin ai e ka kuptuar më tepër si instrument politik për materializimin e ideve, se sa si objektiv më vete. Kjo ndoshta është edhe komponenta kryesore që e bën atë të besueshëm në sytë e njerëzve, sidomos të atyre që janë bindur se fjala e tij ka peshë, si gurët e rëndë të Sharrit.
Në një proces mjaft kompleks politik, siç kaloi Maqedonia në këto dy dekada, gjindshmëria për të vepruar me etikë dhe objektiv të qartësuar, nuk është vetëm arti i së mundshmes, por edhe një bagazh përvoje që manifestohet përmes nuhatjes së ‘tërmeteve’ politike, ku një drejtues i shkathtë do të dinte të amortizonte deri në maksimum pasojat rrënuese. Pikërisht këtë rol ka luajtur lideri i shqiptarëve, Ali Ahmeti, i cili ka tejkaluar dimensionin partiak të interesave në favor të interesit të përgjithshëm. Vetëm liderët e tillë nuk e shohin gjithmonë partinë e tij si oazë ku duhet të lulëzojë mirëqenia, por ata e zgjerojnë dioptrinë e vrojtimit ku oaza partiake del mjaft e vogël në raport me fotografinë e gjerë të zhvillimit shoqëror, social, kulturor etj. Kritikuesit që nuk kanë shumë argumente, më tepër bazohen në efektet e jashtme që sjell karizma e Ali Ahmetit, duke ia përshkruar atij ndikimin që ka tek njerëzit si ish udhëheqës i kryengritjes shqiptare këtu te ne. Por, pikërisht këtu qëndron edhe lajthitja kryesore e kësaj mënyre argumentimi, për arsye se ky lider ka qenë shumë i hapur ndaj të gjithëve, sidomos ndaj atyre që jo gjithmonë kanë menduar si ai. Pamundësia për të bërë një konkurrencë më kualitative, sforcon linjën e goditjeve joparimore, ku përfshihen disa kategori njerëzish dhe mediash, ku kryesisht dominojnë ata që garën e bazojnë më tepër mbi shantazhe dhe shpifje dhe fare pak në oferta konkrete dhe ide alternative. Ndoshta kjo është edhe arsyeja se pse Ali Ahmeti është i pathyeshëm në ecjen e tij vertikale, duke nxjerr në pah një format lideri i cili bëhet edhe më i fortë pas çdo beteje të pasuksesshme që zhvillojnë kritikuesit e tij.