Ancelotti: Barça nuk na dominoi, ne shfrytëzuam kundërsulmet
Reali i Madridit është finalisti i parë i Superkupës së Spanjës pasi e ka mposhtur Barcelonën me rezultat 3-2 në kohën shtesë.
Trajneri Carlo Ancelotti ka mundësinë që të dielën të fitojë edhe Superkupën e Spanjës, çfarë do ta bënte atë nga të paktët trajnerë që fiton Superkupën në katër vende të ndryshme.
Trajneri italian e ka fituar me Milanin në Itali, Chelsean në Angli dhe Bayernin në Gjermani. Dhe tani është vetëm një hap larg me Realin e Madridit në Spanjë.
“Ishim të përgatitur për një ndeshje të tillë. Siç e thashë edhe para ndeshjes, se do të ishte një përballje e ekuilibruar dhe ashtu rezultoi. Kemi luajtur shumë mirë në pjesën e parë, duke qenë shumë efektivë në kundërsulm. Besoj se në tërësi, të dyja ekipet kemi përçuar një imazh mjaft të mirë të futbollit spanjoll”, ka thënë Ancelotti, i cili i është kundërpërgjigjur edhe trajnerit të Barcelonës, Xavi Hernandez: “Fjalët e Xavit? Ai ka mendimin e tij, por nuk jam dakord që Barcelona e ka dominuar ndeshjen. Në pjesën e parë kemi marrë një gol të pafat, ndërsa pjesa e dytë ishte më e baraspeshuar. Por, kemi pasur meritën që kemi qenë rezultativë në kundërsulm, duke shënuar tre gola të mrekullueshëm. Kundërsulmi? Besoj se ka qenë një nga armët tona më të mira në këtë takim. Pastaj me cilësitë që kanë mesfushorët tanë, e kemi luksin e një loje të tillë. Në këtë takim gjithçka na ka shkuar mirë”.
Trajneri italian ka folur edhe për finalen e së dielës. “Të them të drejtën nuk kam ndonjë preferencë për finalistin tjetër. Qoftë Atletico e Madridit, qoftë Bilbao janë dy skuadra shumë të mira. E rëndësishme është të argëtohemi me gjysmëfinalen tjetër dhe më pas të mendojmë për finalen”, ka shtuar Ancelotti.