Ancelotti: Do të jetë e vështirë të pozicionohemi mes tetë ekipeve të para
Trajner i Real Madridit, Carlo Ancelotti para ndeshjes kundër Atalantës, në Ligën e Kampionëve, foli edhe për ekipin italian dhe rrugëtimin e jashtëzakonshëm që ka bërë vitet e fundit në Serinë A dhe në kupat evropiane: “Atalanta ka bërë një punë të shkëlqyer, konkurron në kampionatin italian dhe në Evropë, kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Atalanta vazhdon të jetë në një nivel të lartë, kjo tregon shumë për strukturën e klubit dhe cilësinë e trajnerit”.
“A ka kjo ndeshje më shumë vlerë se tri pikë? Jo, janë tri pikë dhe janë shumë të rëndësishme për kualifikimin. Kemi edhe tri ndeshje të tjera, do të jetë e vështirë të pozicionohemi mes tetë ekipeve të para. Ndoshta do të bëjmë një raund ‘play off’, por janë thjesht tri pikë. Për mua, është gjithmonë diçka e veçantë të luaj në Itali, jam italian 100%”, ka shtuar Ancelotti.
“Kam shumë besim te skuadra dhe lojtarët e mi. Kemi si objektiv të mbyllim mirë këtë vit dhe nesër do të jetë ndeshja më e vështirë e këtij cikli ndeshjesh në fund të vitit 2024. Nuk ka një recetë magjike, por do të thosha se marrëdhënia mes trajnerit dhe klubit është thelbësore për të arritur rezultate. Nëse gjërat shkojnë mirë, kjo ndodh sepse ai raport funksionon. Jam 100% i bindur për këtë”, ka deklaruar trajneri italian.