Ancelotti e krahason Viniciusin me Maradonën dhe Pelen
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti ka krahasuar trajtimin që Vinicius Junior merr në fushë me atë të legjendave të futbollit, Peles dhe Diego Maradonas.
Trajneri italian po fliste para ndeshjes së tyre në shtëpi me Almerian të premten, dhe pjesa më e madhe e konferencës për shtyp u përqendrua te Vinicius dhe “sfidat” e tij me racizmin dhe ndërhyrjet e kundërshtarëve ndaj tij.
“Nga njëra anë është ajo që ndodh në fushë dhe nga ana tjetër, jashtë saj. Jashtë kësaj, është keq për shoqërinë, të ketë ende racizëm. Një shoqëri moderne nuk mund të jetë e tillë”.
“Në fushë, e vërteta është se lojtarët e godasin shumë, është e qartë. Edhe Maradona apo Pele u goditën shumë, për fat të keq. Fati ynë është që Vinicius ka një fizik të fortë dhe është i aftë të durojë këto sfida”, ka thënë Ancelotti.
22-vjeçari brazilian është pjesë e Real Madridit nga viti 2018 kur është transferuar nga Flamengo për 45 milionë euro.
Vlera e tij në treg tani për tani është 120 milionë euro, bazuar në të dhënat e uebfaqes “Transfermarkt”.