Ancelotti: Gattuso është shpirti i Milanit
Është ende herët të thuhet nëse nxënësi mund ta kapërcejë mësuesin, por premisat janë absolutisht pozitive deri më tani. Gennaro Gattuso punon në gjurmët e Carlo Ancelottit, teknikut me të cilin ai është më i lidhur, duke marrë parasysh marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis të dyve.
Sot, “Gazzetta dello Sport” ka intervistuar Ancelottin, një teknik, i cili aktualisht është pushim, pas shkarkimit nga Bayern Munich, i cili donte të lavdëronte Gattuson, me të cilin u përball me një mijë beteja ekipe gjatë eksperiencës së përbashkët e të mrekullueshme te Milani.
Ancelotti menjëherë foli për atë se sa i mahnitshëm është ndikimi i Gattusos si trajner i ekipit të parë, pavarësisht nga vështirësitë e rastit: “Kur të marrësh përsipër drejtimin e një skuadre, ka gjithmonë shumë faktorë të panjohur, shumë dyshime, shumë pengesa për t’u kapërcyer. Rino kishte përpara vështirësitë e veta, por u ndoq si duhet nga lojtarët. Nëse duhet të jeni të besueshëm në sytë e tyre, atëherë nevojitet të merrni ndonjë rezultat. E shoh atë si një udhëheqës autentik.
Ai ka grupin në dorë, djemtë do të hyjnë në zjarr për të, dhe ky aspekt është vendimtar në futboll dhe në përgjithësi në jetë. Gattuso është shpirti i Milanit, ndërsa lojtarët ofrojnë njohuritë dhe energjinë e tyre për të arritur sukses. Kjo është rruga e drejtë. Gattuso kishte pak kohë për të krijuar alkiminë e duhur. Ndonjëherë, kjo gjë kërkon muaj, vite. Rino, nga ana tjetër, kaloi një muaj, apo më shumë, por përfitoi ngaqë u bashkua me Milanin, duke e njohur historinë e këtij klubi. Nuk ka asnjë cep “Milanello”, që mbart sekrete për të. Rino ishte një shtyllë e Milanit tim, i cili bazohej në një filozofi të saktë të lojës dhe të menaxhimit. Champions-i? Për Milanin, nëse shkon përpara Interit, do të ishte një sukses i madh. Por në këtë moment unë shoh që zikaltrit janë shumë në vështirësi. Nëse Milani do të arrijë në Ligën e Kampionëve, ndoshta duhet të planifikojë rivalë Romën dhe Lazion”. (Telesport)