Ancelotti kritikon Milanin për shkarkimin e Maldinit: Të destinuar për dështim
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti ka thënë se klubet që i japin përparësi biznesit mbi meritat sportive janë të destinuara të dështojnë dhe beson se shkarkimi i Paolo Maldinit nga pronarët e Milanit dëshmon mungesë të kulturës historike dhe mungesë respekti për traditën e Milanit. Trajneri italian foli pas vendimit të drejtuesve të Milanit për ta shkarkuar ikonën e klubit, Paolo Maldini.
“Në Madrid, kam mësuar se historia duhet respektuar gjithmonë”, ka thënë Ancelotti kur u pyet për shkarkimin e Maldinit. “Këtu, Di Stefano, Amancio, Gento dhe Puskas janë vlera ekskluzive që ende respektohen. Ajo që ndodhi me Maldinin dëshmon mungesën e kulturës historike dhe mungesën e respektit për traditën e Milanit. Është e vërtetë që nuk fitohet me histori, por historia mëson se si të fitosh. Klubet e futbollit që mendojnë për prioritetet e biznesit para meritave sportive janë të destinuara të dështojnë”, ka shtuar Ancelotti.
Maldini luajti 252 ndeshje të Milanit nën drejtimin e Ancelottit, duke shënuar shtatë gola dhe duke fituar, mes trofeve të tjera, dy herë Ligën e Kampionëve.