Ancelotti: Mbappe e di që nuk është në formë
Kylian Mbappe u bë përsëri temë diskutimi në konferencën për shtypin të Carlo Ancelottit para ndeshjes kundër Gironas, në javën e 16-të të La Ligas. Sulmuesi humbi një penallti në disfatën kundër Athletic Bilbaos.
“Mbappe e di që nuk është në versionin e tij më të mirë. E shprehu këtë pas ndeshjes dhe ne jemi me të. Nuk po arrin të japë maksimumin e tij. Shumë njerëz nuk e vërejnë këtë, por ai është i vetëdijshëm”, ka thënë Ancelotti në konferencë për shtyp.
Trajneri i Real Madridit nuk e fajëson për humbjen në Bilbao, por pranon se francezi po kalon një periudhë të vështirë.
“Penalltitë janë një çështje, ndonjëherë është i motivuar, ndonjëherë jo. Duhet të përballojë momentin, të luftojë, të sakrifikohet, sepse më herët ose më vonë do të kalojë. Ajo që më jep besim është se ai ka përmirësuar intensitetin në ndeshjet e fundit. Mendoj se është çështje vazhdimësie dhe kjo do të vijë kur ai dhe shokët e tij të përshtaten me karakteristikat e tij, të cilat janë të veçanta dhe të jashtëzakonshme”, ka shtuar ai.
Ancelotti komentoi edhe shortin e Kupës së Botës për Klube, ku Real Madrid është në grupin H, së bashku me Al Hilal-in e Jorge Jesus-it, Pachucan dhe Salzburgun:
“Ishte një prezantim i bukur, me mikun tim Del Piero. Besoj se do të jetë një garë argëtuese për tifozët, por kemi ende kohë për të menduar për të”.