Ancelotti: Para pensionit dua të fitoj një tjetër Ligë të Kampionëve
Në një intervistë të gjatë, dhënë për “France Football”, trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, foli kështu për marrëdhëniet me lojtarët e tij e më gjerë. “Unë jam mik me lojtarët e mi dhe dua të jem. Ata mund të flasin me mua për çdo gjë. Unë iu them atyre hapur: Dua të ndërtoj një marrëdhënie të mirë me ju”.
Cilat janë klubet dhe lojtarët më të mirë në karrierën tuaj?
Ancelotti: Për klubet më të mira mund të përgjigjem: Milani dhe Real Madridi. Sa për ekipin më të mirë, është e vështirë të flas. Unë kam pasur nderin të menaxhoj lojtarë dhe ekipe fantastike. Nuk mund t’i rendis lojtarët më të mirë që kam stërvitur. 11-shja ime më e mirë nuk ekziston, është e pamundur ta përzgjedh atë. Çfarë lojtarësh të jashtëzakonshëm kam stërvitur, pa dallime.
A ke një objektiv, që do ta arrish para se të tërhiqesh?
Ancelotti: Para se të ndaloj së trajnuari do të doja të fitoja një Ligë të re të Kampionëve. Dhe pastaj një tjetër (qesh). Çdo trajner dëshiron të arrijë në majë, por të stërvitësh Real Madridin është vërtet e veçantë. Është klubi më i mirë në botë për historinë, atmosferën, tifozët e tij. Pastaj është Milani, klubi më i mirë për të studiuar futboll. Unë pata mundësinë t’i stërvitja të dy këto klube të mëdha.
Cila ka qenë dhoma më e vështirë e zhveshjes për ju si trajner?
Ancelotti: Patjetër që e Napolit. Nuk është e lehtë ta shpjegoj pse, individualisht ishte e mirë. Kishte ndryshime në krahasim me epokën e mëparshme të Sarrit. Unë doja të ndryshoja disa gjëra dhe kjo e nxori jashtë ekuilibrit dhomën e zhveshjes së Napolit. Megjithatë, punuam mirë sezonin e parë, ndërsa i dyti ishte i vështirë.