Ancelotti pas humbjes nga Milani: Skuadra po rritet, fokusohemi tek Barcelona

01 gusht 2024 | 14:01

Carlo Ancelotti foli në konferencën për shtypin pas humbjes 1-0 që Reali i tij regjistroi në miqësoren amerikane përballë Milanit, ekip me të cilin ka arritur suksese të paharrueshme si lojtar dhe trajner.

“Luftuam dhe bëmë gjëra të mira. Shumë të rinj zbritën në fushë. Rëndësi kishte të konkurronim, dhe ne e bëmë gjatë gjithë takimit. Vlerësimi është pozitiv. Për të rinjtë ishte një shans i madh për të luajtur në ndeshje të tilla. Në pjesën e parë bëmë me mirë me ‘senatorë’ si Modriq dhe Rudiger. Por, për momentin këto lojtarë nuk mund të luajnë më shumë se një pjesë. Le të përgatitemi për takimin e radhës”, ka theksuar tekniku italian. Reali do të sfidojë Barcelonën në një “El Clasico” amerikane më 4 gusht (01:00).

Brazilianët Vinicius, Rodrygo dhe Militao janë gati të bashkohen me skuadrën, teksa pritet të luajnë disa minuta në duelin përballë katalanasve të Hansi Flick. Ancelotti vijon, duke theksuar se për momentin objektivi është arritja e formës së mirë fizike. Ndërkohë që po zhvillon një punë të madhe taktike me të rinjtë.

“Duam të arrijmë sa më shpejt formën fizike. Po punojmë taktikisht vetëm me të rinjtë. Kur të kthehen të gjithë lojtarët do nisim ta bëjmë edhe me pjesën tjetër të skuadrës. Në fakt, skuadra është pothuajse e njëjta me atë të sezonit të kaluar, kështu që strategjitë janë të qarta. Duhet të përshtatemi edhe me lojtarët e rinj, por pak nga pak, nuk duhet të nxitojmë. Mbappe-Endrick? Nevojitet kohë, nuk mund t’i përshtatim brenda 5 ditëve”, ka përfunduar trajneri i Realit të Madridit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Max Verstappen e nisi garën e fundit të Formula 1…