
Ancelotti: Përvoja në Ligën e Kampionëve është shumë e rëndësishme
Real Madridi do të sfidojë Arsenalin në “Emirates Stadium” të Londrës për ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Trajneri i “Los Blancos”, Carlo Ancelotti, foli në konferencë për shtyp në prag të sfidës.
A do të fitojë Real Madridi tituj këtë sezon?
Mendoj se po, përndryshe nuk do të isha këtu, do të merrja parasysh një pushim. Duhet të përpiqesh dhe pastaj, nëse gjithçka shkon mirë, fiton. Nëse jo, mendon për sezonin tjetër.
Si i analizoni goditjet standarde, një pikë e dobët për Realin këtë sezon?
Arsenali është shumë i rrezikshëm në goditjet standarde, do të përpiqemi të mbrohemi sa më mirë. Sidoqoftë, edhe ne mund të jemi të rrezikshëm kur kemi goditje standarde. Ky do të jetë një aspekt shumë i rëndësishëm në këtë ndeshje.
Si i pritët kritikat pas humbjes ndaj Valencias?
Nuk mund të mendojmë për kritikat kur kemi një ndeshje çdo tri ditë. E kemi analizuar atë ndeshje, tani është momenti të përgatitemi mirë për këtë sfidë Champions-i. Janë 90 minuta shumë të rëndësishme, jo vendimtare, sepse kemi edhe 90 të tjera në “Bernabeu”, para tifozëve tanë.
Si ju dukën fishkëllimat ndaj Vinicius?
Nuk kam folur me të për këtë. E di shumë mirë që mund të kishte luajtur më mirë. Sidoqoftë, sonte pres të bëjë një ndeshje të madhe.
Martin Ødegaard është një ish i Real Madridit, që tani është lider tek Arsenali…
Nuk kishte hapësirë për të te Real Madridi, që të tregonte cilësitë reale. Ai vendosi të largohej për të pasur mundësi të luante diku tjetër. Tani është te një nga klubet më të mira, luan në Ligën e Kampionëve. Është shumë i ri, talenti që ka sot është i njëjti që kishte në moshën 16-vjeçare. Që atëherë ka treguar karakterin dhe guximin për të dalë përpara dhe për t’u bërë një nga më të mirët në Evropë.
Sa vlen përvoja e lojtarëve në Ligën e Kampionëve?
Përvoja në këtë turne është shumë e rëndësishme. Të kesh njohuri do të thotë të mos kesh frikë nga këto ndeshje, nga ky presion. Kjo ndihmon edhe lojtarët e rinj.
A mund të flasim që tani për të ardhmen tuaj?
Nuk e di nëse janë lodhur me mua, ndoshta…, por ajo që ka rëndësi është që personi më i rëndësishëm (Florentino Perez) të mos lodhet. Ajo që mund të ndryshojë gjithçka është pikërisht kjo: që njeriu më i rëndësishëm i këtij klubi të mos lodhet me mua.