Ancelotti: Privilegj të jem në krye të Realit
Suksesi kundër Atalantës ka qenë i veçantë dhe për trajnerin e Realit të Madridit, Carlo Ancelotti. Për italianin ky ka qenë trofeu i 14-të me ekipin spanjoll, duke bërë që ai të arrijë legjendën e stolit të “Los Blancos”, Migel Munjoz.
“Është një nder dhe një privilegj për mua të jem në krye të stolit të Realit dhe të arrij të tilla shifra. Jam krenar që ky klub më ka bërë të jetoj këto net këtu, duke vuajtur… por edhe duke fituar”, ka thënë Ancelotti. Më pas ai ka analizuar takimin, duke theksuar vështirësitë në pjesën e parë dhe shpërthimin e ekipit në pjesën e dytë.
“Pjesa e parë na kushtoi shumë. Por ata e paguan sforcon e tyre në pjesën e dytë ku ne ishim më mirë. Ata fituan më shumë duele se ne në pjesën e parë. Në të dytën kishim më shumë hapësirë dhe Rodrigo, Mbappe dhe Vinicius janë shumë të mirë kur kanë hapësira përpara. Duhet të falënderojmë lojtarët që erdhën një javë më parë dhe që arritën formën shumë të mirë vetëm pak ditë para finales”, ka shtuar ai. Në fund ai ka folur dhe për Mbappe dhe premtimin e francezit për 50 gola. “Mbappe ka cilësinë për të shënuar shumë gola, por ne duhet të gjejmë ekuilibrin në skuadër. Gjithnjë ka vend për përmirësim”.