Ancelotti: Reali do të jetë në finale të Ligës së Kampionëve
Humbja nga Lille – epo, një humbje mund ta pësojnë edhe kampionët.
Disfatë nga Milan – nuk është kushedi çfarë shqetësimi, italianët janë ekipi i dytë më i mirë në histori në Champions.
Turpërim nga Liverpool – edhe mund të ndodh, “The Reds” po bëjnë kërdi gjithandej kah po luajnë sivjet dhe janë ekipi aktualisht më i mirë në botë.
Kështu pak a shumë i sheh trajneri i Realit tri humbjet e ekipit të tij në Ligën e Kampionëve.
Në fakt, Carlo Ancelotti nuk është duke u mërzitur gjithaq për to. Madje, mori guximin të bëjë një premtim të madh, ani që jo tamam të atillë që të pretendojë direkt se klubi mbretëror do ta fitojë edhe sivjet ligën më të mirë të futbollit në botë, transmeton Klankosova.tv.
“Mbajeni mend çfarë po ju them – Real Madridi do të jetë në Munich, në finale e Ligës së Kampionëve. Ne do të jemi atje”, i tha ai radios “El Larguero”.
Aktualisht Real është një pozitën 24 në Champions, që është e fundit e cila jep mundësi për të avancuar tutje në këtë garë. I ka vetëm 6 pikë nga 15 të mundshme. Finalja e kësaj gare luhet në stadiumin e Bayernit gjerman, në Munich.
Mbretërit po kalojnë nëpër një fazë tmerri në këtë ligë. Lëndimet e shumta të lojtarëve sigurisht se arsye pse po ndodh kështu. Por, edhe fati i keq i Kylian Mbbape. Ky, të mërkurën, humbi një penallti ndaj Liverpool, por edhe pa këtë, nuk është se shkëlqeu deri tashti.
Ancelotti beson se francezi do ta kthejë “zarin”.
“Ka një ilaç për këtë dhe ai është durimi. Ai po kalon nëpër momente të vështirë, sidomos pas humbjen se penalltinë. U ka ndodhur shumë herë edhe sulmuesve të tjerë që patën telashe të shënojnë gola”, tha trajneri i Realit. “Po i mungon pak besimi, por nuk mund ta gjykosh për shkak se humbi një penallti. Të gjithë lojtarët huqin penallti. Ai duhet të vazhdojë të punojë mirë. Duhet të kemi durim sepse ai është një lojtar i jashtëzakonshëm”.