Andin Hoti: Adresa e vetme për çdo të zhdukur në Kosovë është Qeveria e Serbisë

19 korrik 2021 | 10:50

Kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështje e personave të zhdukur, Andin Hoti, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar ka pranuar ketë detyrë që të jap maksimumin për shërimin e plagëve të secilit familjar në Kosovë për mungesën e familjarit të tyre tash e 22 vite.

“Rezultatet varen shumë nga uniteti ynë dhe kontributi i secilit prej nesh, prandaj dua t’i falënderoj sinqerisht edhe ish udhëheqësit e Komisionit si dhe të Delegacionit në kuadër të Grupit Punues për punën e tyre dhe ofrimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm”, ka shkruar Hoti.

Ai i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që ta shtojnë presionin ndaj Serbisë për hapjen e arkivave të luftës së fundit në Kosovë.

“Adresa e vetme për çdo të zhdukur në Kosovë, është Qeveria e Serbisë, prandaj edhe adresa e vetme për zgjidhjen e kësaj çështje është po e njejta”, ka shkruar Hoti.

Postimi i plotë i Andin Hotit:

Të dashur familjarë të personave të zhdukur me forcë gjatë gjenocidit të fundit të ndodhur në Kosovë,
Të respektuara shoqata jo qeveritare që merren me çështjen e personave të zhdukur dhe shoqëri civile,
Të nderuar qytetar,

Siç mund të jeni tashmë në dijeni, unë kam pranuar përgjegjësinë ta udhëheqë Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur me forcë dhe njëkohësisht edhe udhëheqjen e Delegacionit për bisedime për çështjen e përsonave të zhdukur në kuadër të grupit punues.

Këtë përgjegjësi institucionale, sa emocionale dhe të ndjeshme për shkak të plagës ende të hapur për fatin e më të dashurve tanë, e kam pranuar si detyrë mbi detyrat, që të jap maksimumin tim për shërimin e plagëve të secilit familjar në Kosovë për mungesën e familjarit të tyre tash e 22 vite.
Duke e konsideruar të rëndësishëm dhe të domosdoshëm bashkëpunimin me secilin qytetar, ju falënderoj nga zemra të gjithë Juve për mesazhet e shumta të urimit e mbështetjes dhe për ofrimin e bashkëpunimit në këtë proces.

Rezultatet varen shumë uniteti ynë dhe kontributi i secilit prej nesh, prandaj dua t’i falënderoj sinqerisht edhe ish udhëheqësit e Komisionit si dhe të Delegacionit në kuadër të Grupit Punues për punën e tyre dhe ofrimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm.

Ndër parimet e mia udhëheqëse është transparenca, prandaj duke u zotuar për këtë, shpresoj shumë në bashkëpunim të ngushtë me mediat në Kosovë.

I vetëdijshëm për pengesat në këtë proces dhe sfidën e dialogut me Serbinë, dëshiroj të falenderoj me këtë rast faktorët ndërkombëtarë që e kanë mbështetur në vazhdimësi Komisionin dhe Delegacionin në përpjekjet për të zbardhur fatin e personave të zhdukur, si Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, atë të Mbretërisë së Bashkuar, të Zvicrës, Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (KNPZH), Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Zyrën e BE-së në Kosovë, EULEX-in dhe të gjithë të tjerët që kanë ofruar bashkëpunimin e tyre.

Në të njëjtën kohë iu bëj thirrje faktorëve ndërkombëtar që ta shtojnë presionin ndaj Serbisë për hapjen e arkivave të luftës së fundit në Kosovë.
Adresa e vetme për çdo të zhdukur në Kosovë, është Qeveria e Serbisë, prandaj edhe adresa e vetme për zgjidhjen e kësaj çështje është po e njejta.
Refuzimi për zgjidhjen e fatit të përsonave të zhdukur me forcë në luftën në Kosovë, nënkupton edhe një krim tjetër që bëhet edhe sot, 22 vjet pas luftës, atë HUMAN.

Me respekt,
Andin Hoti

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dosja e rastit të ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të…