Andrei Ratiu: Na pret ndeshje e vështirë ndaj Kosovës
Rumania dhe Kosova do të përballen mes vete të premten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Rumunët vijnë nga pjesëmarrja e suksesshme në “Euro 2024”, derisa janë të vetëdijshëm se në kryeqytetin kosovar s’do t’i pret ndeshje aspak e lehtë. Për këtë është i vetëdijshëm edhe futbollisti rumun, Andrei Ratiu.
“Në shtator na presin dy ndeshje të vështira, absolutisht. Natyrisht, nga e kaluara, pasi jemi përballur me ta, e dimë se si është të luash me Kosovën, mbi të gjitha në shtëpinë e saj. Do të jetë një takim me shumë duele, në ajër dhe në tokë, duhet të jemi të bashkuar. Duhet të luajmë ashtu siç dimë dhe në fund të dalim nga fusha e lojës me tri pikë të fituara”, ka deklaruar futbollisti i Rayo Vallecanos për mediat rumune.
Krahas Kosovës, Rumania në këtë muaj do të luajë edhe me Lituaninë, kurse “Dardanët” më pas do të kenë punë me Qipron, të hënën që vjen.