Andrzej Duda bën betimin e dytë si president polak
Presidenti polak, Andrzej Duda është betuar të enjten për mandatin e dytë pesëvjeçar.
Shumica e ligjvënësve opozitarë – si dhe ish-presidentë apo ish-kryeministra të Polonisë – kanë bojkotuar ceremoninë parlamentare.
Disa ligjvënës opozitarë që kanë qenë pjesë e ngjarjes kanë veshur ngjyra të flamurit të komunitetit, LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor), në shenjë proteste ndaj Dudas.
Përgjatë fushatës zgjedhore, Duda është kritikuar ashpër për qasjen e tij kundër këtij komuniteti.
Opozita ka kritikuar atë që e sheh si mosrespektim të Kushtetutës nga ana e Dudas gjatë mandatit të tij presidencial.
Pjesëtarët e opozitës kanë ngritur shqetësime edhe rreth pranimit të politikave të presidentit polak nga ana e partisë populliste të krahut të djathtë, Ligji dhe Drejtësia, e cila e ka përballur Poloninë dhe Bashkimin Evropian me mospajtime në disa çështje.
Duda ka qenë i afërt me këtë parti, deputetët e së cilës kanë përkrahur dhe duartrokitur për të gjatë ceremonisë së betimit në Varshavë.
Duda ka thënë se është i gatshëm për të bashkëpunuar me të gjitha grupet dhe partitë politike. Mirëpo ai po ashtu ka theksuar nevojën për mbrojtje të rolit të familjes në shoqërinë polake.
Këto komente janë parë nga kritikët si përsëritje e retorikës së tij gjatë fushatës, e cila me raste ka qenë armiqësore ndaj të drejtave të komunitetit, LGBT.
Duda ka fituar 51 për qind të votave në zgjedhjet e 12 korrikut, në garën kundër kryetarit të Varshavës, Rafal Trzaskowski në një proces ku kanë marrë pjesë 65 për qind e popullsisë./rel/