Anduena Rifati: Pa basketboll nuk mund të jetojë
Një nga basketbollistet më të dalluara në basketbollin femëror në Kosovë ishte Anduena Rifati. Ajo ishte basketbolliste e dalluar e Bashkimit dhe mbrojti edhe ngjyrat e Kosovës. Anduena fitoi disa herë titullin dhe Kupën në Kosovë, si dhe u zgjodh MVP, kurse katër herë është zgjedhur sportiste e vitit në Prizren, si dhe ka marrë çmimin e karrierës.
Si vendose të luaje basketboll?
Rifati: Unë jam rritur në një familje të frymëzuar nga sporti. Babai im (i ndjerë) Tajar Rifati ka qenë basketbollist, një ndër gjyqtarët e parë të ish-Jugosllavisë dhe komisar i FBK-së. Nëna ime Hidajete Rifati ka qenë basketbolliste dhe ka marrë pjesë në Ligat Krahinore të ish-Jugosllavisë. Po ashtu, motra dhe vëllai kanë kontribuar në basketboll. Kështu që kjo më ka inspiruar që edhe unë t’i bashkëngjitem këtij sporti.
Cili ka qenë idhulli yt në fëmijëri?
Rifati: Idhulli im në basketboll në fëmijëri ka qenë Drazhen Petroviq.
Cili ka qenë trofeu më i rëndësishëm për ty dhe pse?
Rifati: Trofeu më i rëndësishëm dhe më i ëmbël ka qenë i vitit 1997 (para luftës), ku pas mëvetësimit të basketbollit kosovar në atë kohë u shpallëm kampionë, duke mundur Universitetin e Prishtinës në prani të 1 000 shikuesve në terren të hapur në Prizren.
Cilën ndeshje nuk mund ta harrosh asnjëherë?
Rifati: Ndeshjen që nuk mund të harroj ka qenë finalja e Kupës së Kosovës në Suharekë (viti 2007) kundër Sigal Prishtinës, ku me pikët e mia erdhëm deri te Kupa. Ishte ndeshje e paharruar. Më kujtohet momenti kur mbeten vetëm 17 sekonda dhe mua nuk m’u dridh dora dhe shënova në kundërsulm për t’i dhuruar Kupën skuadrës time, ku edhe në atë kohë në media u shpalla heroinë e klubit. Ndeshja përfundoi me rezultat 75:73.
Cila ka qenë kundërshtarja më e vështirë që je ballafaquar?
Rifati: Për kundërshtare më të vështirë s’mund të apostrofoj dikë, pasi konkurrenca ka qenë shumë më e fortë se tash. Shumica e lojtarëve kanë qenë defensive të mira.
Sa të mungojnë basketbolli dhe atmosfera nga koha kur ke luajtur?
Rifati: Çdo sportistit i mungon sporti kur pensionohet, por unë çdoherë jam afër basketbollit, duke i përcjell thuajse të gjitha ligat duke filluar nga Euroliga, Aba Liga, si dhe Superligën e Kosovës, në veçanti nga afër përcjelli çdo ndeshje të Ponte Prizrenit (si vendas), pasi trajner është vëllai im. Vitet e fundit kam marrë pjesë në turne të basketbollit të organizuara nga Komiteti Olimpik i Kosovës si përfaqësuese e Bankës TEB ku punoj.
Cili është mesazhi për lojtaret e reja që duan të merren me basketboll?
Rifati: Mesazhi për basketbollistet është që të merren sa më shumë me sport, të fokusohen në punë dhe vetëm punë, sepse puna është çelës i suksesit dhe asnjëherë mos të dëshpërohen apo dorëzohen. Nëse të gjitha nuk bëhen basketbolliste, dikush bëhet trajnere, gjyqtare, mbajtëse e statistikës apo çka tjetër që e mban në hap dhe afër me basketbollin.