Anesteziologu Krasniqi vdiq gjatë kujdestarisë
Ka ndërruar jetë anesteziologu Muharrem Krasniqi. Ai ka vdekur mbrëmë derisa po kujdestaronte në Spitalin e Vushtrrisë.
Dr. Muharrem Krasniqi, specialist i anestezionit dhe mjekimit intensiv, ka ndërruar jetë mbrëmë derisa po kujdestaronte në Spitalin e Vushtrrisë, kanë treguar kolegë të tij për Gazetën “Shneta”.
Krasniqi ka qenë një nga anesteziologët që ka punuar vazhdimisht gjatë pandemisë me pacientë të sëmurë nga Covid-19 në Klinikën Infektive dhe në Mjekimin Intensiv.
Për vdekjen e tij kanë shprehur ngushëllime kryetari i Shoqatës së Anesteziologëve Lulzim Emini, si dhe drejtori i Klinikës së Anestezionit Gazmend Spahija.
Edhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar po ashtu ka shprehur ngushëllime duke e çmuar punën dhe kontributin e të ndjerit.