Anëtarësimi i Kosovës në BE mbetet orientim strategjik
Me rastin e shënimit të Ditës së Evropës 9 maj 2020, ministri në detyrë i Integrimit Evropian, Blerim Reka, ka thënë se shtatëdhjetë vite më parë, një Evropian i madh, doli me një ide po aq të madhe: atë për Evropën e bashkuar.
Reka ka thënë se “Deklarata Schuman” e 9 majit të vitit 1950, hapi rrugën, jo vetëm për tregun e përbashkët, por edhe për vlerat e përbashkëta.
Ai ka thënë se për Republikën e Kosovës, anëtarësimi në BE mbetet orientim strategjik.
“Për një lidhje shtetesh, të bashkuar në diversitet. Bashkimi Evropian, pra është një projekt paqe; e zgjerimi i tij, një gjeopolitikë unifikuese, që bashkoi Evropën e ndarë. Por, Evropa nuk është e plotë, as pas shtatë dekadash. Ballkani Perëndimor mbetet ende jashtë portave të Brukselit. Dy dekada të perspektivës evropiane: nga Zagreb i 2000 në Zagrebin 2020; mbajtën premtime për gjashtë shtetet aspiruese, për t’u bërë pjesë e familjes së bashkuar evropiane. Por vetëm premtimet nuk mjaftojnë. Metodologjia e re e zgjerimit e BE-së,duhet të përcillet edhe me një Plan Marshall për Ballkanin Perëndimor. Brukseli do të duhej sa më shpejtë ta evropianizojë Ballkanin, para se ai ta ballkanizojë Evropën. Për Republikën e Kosovës, anëtarësimi në BE mbetet orientimi ynë strategjik; jo për shkak të Brukselit, por për ne dhe fëmijët tanë”, ka thënë Reka në deklaratën e tij për media.
Ai ka theksuar se anëtarësimin tonë në BE, nuk e bëjmë, sepse kështu e kërkon politika dhe teknika, por pse e kërkojnë shumica dërmuese e qytetarëve tanë. “Pra: Ata, që Kosovën e shohin si pjesë të BE-së. Ata, që besojnë në idenë evropiane, si diçka reale dhe jovirtuale. Dhe ata, që Evropën duan ta edhe prekin realisht, duke qarkulluar lirshëm-pa viza-brenda kufijve të Shëngenit. Me shpresë, se ditëlindjen e ardhshme, do ta festojmë së bashku, me evropianët e tjerë. Evropë,Urime ditëlindja!”, thuhet në deklaratën e Rekës.
(M.Q / Epoka e re)