Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Kuvendi me njoftim rreth votimit
Këtë javë, nga 15-19 prill 2024 po zhvillohen punimet e sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), në Strazburg.
Tema e rëndësishme e këtij sesioni të APKE do të jetë debati dhe votimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Sot, më 16 prill 2024, në pjesën e sesionit të pasdites, do të zhvillohet debati për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në këtë sesion, marrin pjesë anëtarët e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në APKE, Saranda Bogujevci, kryesuese, Arben Gashi dhe Enis Kervan, anëtarë, si dhe Ariana Musliu-Shoshi dhe Besnik Tahiri, zëvendësanëtarë.
Në APKE po qëndron edhe Mmnistrja e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës dhe zv/kryeministrja, Donika Gërvalla dhe zv/ministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti.
Në sesion, fillimisht, raportuesja për Kosovën, Theodora Bakoyannis, do ta prezantojë raportin konsultativ për aplikimin e Kosovës për anëtarësim dhe me pastaj do t’i jepet fjala anëtarëve të tjerë, përfshirë anëtarët e delagacionit të Kuvendit të Kosovës në APKE.
Pas debatit, raporti do të hidhet në votim ku kërkohen 2/3 e votave për miratim dhe më pas do t’i përcillet Komitetit të Ministrave për votim.
Komiteti i Ministrave do të mbahet me 16-17 maj 2024.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022.