Anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk përcaktohet nga agresioni rus në Ukrainë, por nga dialogu me Serbinë

01 mars 2022 | 11:14

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë ë se anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk përcaktohet prej agresionit rus në Ukrainë, por nga dinamikat e brendshme që kanë të bëjnë me dialogun me Serbinë.

Hasani ka thënë se Kosova nuk mund të përfitojë nga lufta në Ukrainë për t’u anëtarësuar në NATO, apo organizata të tjera ndërkombëtare, pasi Rusia nuk mund të projektojë forcë në Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në NATO do të përdoret si njëri prej mjeteve të fundit të presionit ndaj Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Në një intervistë për “Kosovapress”, Hasani ka thënë se Kosova ka bërë mirë që ka marrë pozicion pro-perëndimor duke vendosur sanksione ndaj Rusisë.

“Çështja e anëtarësimit tonë në NATO, këtë duhet ta kuptojë çdokush se përcaktohet prej dinamikave dhe faktorëve të tjerë të brendshëm që kanë të bëjnë me raportet tona në dialogun me Serbinë. Anëtarësimi ynë në NATO është çështje e sigurisë rajonale këtu, jo çështje e sigurisë globale pasi ndikimi rus është shumë i dobët në këtë pjesë të botës dhe nuk mundet të projektojë forcë sepse është krejt e rrethuar me NATO-n. Anëtarësimi ynë në NATO është njëri prej mjeteve të fundit të presionit ndaj Serbisë për njohje të Kosovës dhe stabilizim të marrëdhënieve me Kosovën. Nuk është diçka që kjo krizë dhe kjo luftë që ne mund të përfitojmë me anëtarësim në NATO dhe as me anëtarësim në organizata të tjera ndërkombëtare. Ato janë pjesë e dinamikave të tjera që lidhen me rajonin dhe fqinjësinë tonë të afërt dhe jo Rusinë… Nuk është ajo që është e pamundur, (anëtarësimi këtë vit i Kosovës në NATO), por nuk diktohet prej faktorëve që po paraqiten. Nuk diktohet prej faktorit rus, raporteve të tyre fqinjësore si Ukraina, apo vendeve të tjera. Ajo diktohet prej raporteve tona me Serbinë, sa i përket dialogut. Anëtarësimi ynë në NATO është pjesë e atij procesi dhe është mjet si presion ndaj Serbisë nëse nuk merr vesh si të thuash ose nuk dëshiron me kuptuar se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe ne jemi përfitues të sigurisë nën ombrellën e NATO-s siç është Serbia”,ka thënë Hasani.

Hasani ka thënë se pavarësisht hezitimit për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, Serbia nuk do të ketë pasoja në integrimet evropiane. Ai ka thënë se BE-ja dhe ShBA-ja mjaftohen me qëndrimin e Serbisë se mbështesin integritetin territorial të Ukrainës.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka përshkruar si krim lufte…