Anëtarësimi i Kosovës në Interpol, domosdoshmëri për sigurinë rajonale
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Bejtush Gashi, ka pritur në takim zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco, me të cilin ka biseduar në lidhje me çështjen e sigurisë dhe proceset nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës.
Gjatë këtij takimi, ministri Gashi e ka njoftuar Marocco lidhur me punën e institucioneve të sigurisë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit në vend.
“Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj të sigurisë do të vazhdojnë të luftojnë aktivitetet e jashtëligjshme në lidhje me ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin në Republikën e Kosovës”, ka thënë ministri Gashi.
Ai i ka thënë Maroccos se Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) është e përkushtuar në luftimin e të gjitha llojeve të krimit të organizuar, duke përfshirë këtu edhe krimin trans-kufitar.
Në këtë drejtim, Gashi ka vlerësuar se anëtarësimi në Interpol është një domosdoshmëri për ofrimin e sigurisë jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe në rajon e më gjerë.
Ndërsa, zëvendësndihmëssekretarin Amerikan të Shtetit për Çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco, ka vlerësuar të arriturat në Kosovë dhe ka theksuar se është e nevojshme për një përkushtim më të madh në ruajtjen dhe ngritjen e nivelit të sigurisë në Kosovë.
Ai është zotuar se përkrahja e ShBA-së në forcimin e mëtejmë të institucioneve të sigurisë në Kosovë do të vazhdojë edhe më tutje.
Gjatë ditës, ministri Gashi është takuar edhe me lordin Tariq Ahmad, si dhe ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, me të cilët ka diskutuar për luftën ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe përpjekjet e Kosovës në menaxhimin e këtij fenomeni.
/Epoka e re/