
Anëtarësimi në NATO dhe integrimi evropian, objektivi gjeostrategjik dhe politik i Kosovës
Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri ka bërë me dije se ka mbajtur takim online me studentët e Universitetit Amerikan në Kosovë (AUK) – RIT KOSOVO, në lëndën “Politics in Developing Countries” të udhëhequr nga prof. Mentor Nimani.
Ai ka treguar se disa nga pikat e prekura gjatë diskutimit ishin rreth gjendjes aktuale të Kosovës, politikave të jashtme, anëtarësimit në BE dhe ndikimin e organizatave ndërkombëtare dhe veprimtaritë e tyre në vendin tonë.
“Në takim potencova se anëtarësimi në NATO dhe integrimi evropian është objektivi gjeostrategjik dhe politik i Kosovës, që qëndron në thelb të politikës së brendshme dhe të jashtme”.
“Ndërkohë theksova se organizatat ndërkombëtare kanë luajtur rol të madh në procesin e shtetndërtimit të Kosovës, duke dhënë një angazhim të gjerë me punën e tyre për ngritjen e kapaciteteve dhe sfidave të tjera zhvillimore në shumë sfera”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Tahiri ka theksuar se studentët shprehën interes të madh dhe ishin mjaftë aktivë që përmes pyetjeve të informohen për aktualitetin në Kosovë, zhvillimin e përgjithshëm si dhe forcimin e shtetndërtimit të Kosovës në të ardhmen.