Anëtarësimit në Interpol duhet t’i qasemi seriozisht

07 mars 2019 | 14:23

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja, ka thënë se Kosova ka bërë mirë që edhe këtë vit ka aplikuar për anëtarësim në Interpol.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se institucionet shtetërore duhet t’i qasen seriozisht procesit të anëtarësimit në Interpol.

“Gjasat për anëtarësim në këtë vit duhet të jenë më të mëdha për arsye se tash i dimë metodat e veprimit të kundërshtarit, edhe pse kundërshtari është shumë i fuqishëm. Por, duhet të punojmë fuqishëm dhe duhet të përgatitemi për t’u ballafaquar me pengesat e Serbisë në këtë proces. Duhet t’i qasem seriozisht anëtarësimit në Interpol me njerëz seriozë dhe të përgatitur, por jo të merren njerëz që nuk kanë ndikim dhe nuk kanë kapacitete për të lobuar. Qysh tani duhet t’i kërkojmë njerëzit me përgatitjet e duhura”, është shprehur Qehaja.

Pavarësisht prej ndasive politike, ai ka thënë se spektri politik duhet të veprojë si një trup i përbashkët sa i përket anëtarësimit në Interpol.

“Kemi shumë probleme të brendshme politike dhe se si do të rrjedhin gjërat unë nuk mund të parashikoj, por momentalisht nuk jemi në situatë shumë të favorshme. Mirëpo, pavarësisht prej kësaj, çështjen e Interpolit duhet veçuar që tani. Domethënë, pavarësisht prej këtyre çështjeve të brendshme të cilat po na ndajnë, ne duhet të veprojmë si një trup i përbashkët sa i përket anëtarësimit në Interpol. Pra, me një plan të menduar dhe detajuar mirë, me njerëz të zgjedhur në Kosovë edhe në diasporë të cilëve duhet t’u mbahen kurset e duhura dhe të punojmë fuqishëm në këtë drejtim. Pavarësisht prej ngjarjeve, se a do të ketë apo jo zgjedhje të parakohshme, çështja e Interpolit duhet të ecë tutje”, ka deklaruar Qehaja.

Po ashtu, ai ka thënë se për të pasur sukses për anëtarësim në Interpol politikisht duhet të punohet shumë me diplomacinë e shteteve mike të Kosovës.

“Epoka e re”: Z. Qehaja, Kosova edhe këtë vit ka aplikuar për anëtarësim në organizatën ndërkombëtare të policisë Interpol. Si e komentoni këtë vendim dhe a mendoni se është hap i qëlluar?
Qehaja: Është bërë mirë që Kosova ka aplikuar përsëri për t’u anëtarësuar në Interpol. Kosova nuk mund të heqë dorë nga përpjekjet për t’u bërë pjesë e kësaj organizate të rëndësishme pavarësisht prej deklarimeve se këtë vit nuk është dashur të aplikohet. Duke e ditur rëndësinë e kësaj organizate policore ndërkombëtare, mendoj se është bërë mirë që Kosova ka qenë këmbëngulëse që në tetor të këtij viti përsëri të tentojë të anëtarësohet në Interpol. Vitin e kaluar kemi pasur mjaft njerëz të implikuar në këtë proces për të lobuar për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, por ata nuk kanë qenë të parapërgatitur. Pra, një numër i tyre nuk kanë qenë edhe aq të përgatitur si t’i qasen kësaj çështje dhe si t’i bindin shtetet që kanë qenë kundër Kosovës. Numerikisht kemi pasur mjaft njerëz të angazhuar, por efekti nuk ka qenë i duhur. Në bazë të asaj çka ka ndodhur vitin e kaluar, pra duke e pasur parasysh agresivitetin e treguar nga Serbia kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe metodat e përdorura, duhet të orientohemi dhe t’i kundërvihemi asaj propagande dhe atyre veprimeve të Serbisë. Tash e kemi numrin e shteteve të cilat kanë qenë të rezervuara dhe të cilat nuk na kanë votuar, prandaj prej sot e tutje duhet të orientohemi tek ato shtete në drejtim të përgatitjeve për anëtarësim sepse koha po kalon dhe shumë shpejt do të vijë tetori kur edhe do të vihet në rend të ditës kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Interpol në mënyrë që të mos ndodhë të dështojmë edhe kësaj here.

“Epoka e re”: Si e shihni ecurinë e këtij procesi pikërisht duke e pasur parasysh rolin destruktiv të Serbisë?
Qehaja: Serbia ka bërë çmos me një propagandë të tmerrshme kundër anëtarësimit të Kosovës dhe ia ka arritur qëllimit. Nuk dua të flas për metodat të cilat i kanë përdorur. Por, në bazë të asaj që ajo ka bërë, Kosova duhet të orientohet dhe ta bëjë përgatitjen e njerëzve që do të angazhohen këtë vit në këtë proces. Duhet të përzgjedhen njerëz të përgatitur të cilët dinë të flasin dhe të lobojnë. Duhet t’i përgatisim këta njerëz në mënyrë që të na garantojnë sukses. Nëse ka nevojë duhet të ndahen edhe mjete financiare për t’i gjetur njerëzit me të cilët duhet biseduar dhe që kanë influencë në shtetet përkatëse. Kështu që duhet të bëhet një plan paraprak dhe jo të shkohet pa plan. Edhe vitin e kaluar ka pasur plan por, megjithatë, nuk ka qenë i mirëfilltë dhe nuk është realizuar ashtu siç është menduar.

“Epoka e re”: Çfarë duhet të ndryshohet saktësisht për të pasur sukses?
Qehaja: Për t’u bërë pjesë e Interpolit fillimisht duhet të përzgjedhen njerëzit që na përfaqësojnë, të cilët e dinë këtë problematik. Në mesin e Policisë së Kosovës ka njerëz të aftë të cilët mund të lobojnë, edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme mund të ketë, por kapacitet e kësaj ministrie nuk janë edhe aq të mëdha. Në suaza të Kosovës duhet t’i kërkojmë njerëzit nga lëmenj të ndryshëm të cilët mund të kontribuojnë në këtë drejtim dhe të hartohet plani dhe të fillohet përgatitja e tyre kush ku do të veprojë dhe si do të veprojë. Domethënë, pa konkretizimin e gjërave nuk mund të ecim përpara sepse mund të ndodhë që përsëri të dështojmë. Mendoj se Serbia, përveç metodave që i ka përdorur më herët, do t’i përdorë edhe metodat e tjera, pra do të zbulojë diçka kundër Kosovës dhe ne duhet t’i angazhojmë të gjitha segmentet e sigurisë në mënyrë që të dimë se si do të veprojnë ata dhe si do të mund t’u kundërvihemi.

“Epoka e re”: Pra, mendoni se Kosova këtë herë duhet ta ndryshojë qasjen dhe të jetë më e përgatitur në mënyrë që të anëtarësohet përfundimisht në Interpol?
Qehaja: Këtu e kemi një të metë sepse po i shihni rrjedhat politike në vend të cilat nuk janë të volitshme. Kemi shumë probleme të brendshme politike. Se si do të rrjedhin gjërat unë nuk mund të parashikoj, por momentalisht nuk jemi në situatë shumë të favorshme. Mirëpo, pavarësisht prej kësaj, çështjen e Interpolit duhet veçuar që tani. Domethënë, pavarësisht prej këtyre çështjeve të brendshme të cilat po na ndajnë, ne duhet të veprojmë si një trup i përbashkët sa i përket anëtarësimit në Interpol. Pra, me një plan të menduar dhe detajuar mirë, me njerëz të zgjedhur në Kosovë dhe në diasporë, të cilëve duhet t’u mbahen kurset e duhura dhe të punojmë fuqishëm në këtë drejtim. Pavarësisht prej ngjarjeve, se a do të ketë apo jo zgjedhje të parakohshme, çështja e Interpolit duhet të ecë tutje.

“Epoka e re”: Jeni optimist se këtë vit gjasat do të jenë më të mira për anëtarësim?
Qehaja: Gjasat për anëtarësim në këtë vit duhet të jenë më të mëdha për arsye se tash i dimë metodat e veprimit të kundërshtarit, edhe pse kundërshtari është shumë i fuqishëm. Serbia pjesën më të madhe të diplomacisë së ish-Jugosllavisë e ka përvetësuar dhe logjistikën e asaj diplomacie është duke e përdorur, prandaj nuk është e lehtë kjo punë. Por, duhet të punojmë fuqishëm dhe duhet të përgatitemi për t’u ballafaquar me pengesat e Serbisë në këtë proces. Duhet t’i qasem seriozisht anëtarësimit në Interpol me njerëz seriozë dhe të përgatitur. Por, jo të merren njerëz që nuk kanë ndikim dhe nuk kanë kapacitete për të lobuar. Në të kaluarën ka pasur raste që disa njerëz kanë pasur probleme edhe me gjuhën angleze e lërë më me gjuhën e shtetit përkatës. Qysh tani duhet t’i kërkojmë njerëzit me përgatitjet e duhura.

“Epoka e re”: Në këtë proces, a do të ketë ndikim edhe dialogu Kosovë – Serbi?
Qehaja: Gjithsesi se do të ketë. Ndasitë dhe vështirësitë tona që kanë të bëjnë me Serbinë zyrtare dhe me dialogun ndërlidhen edhe me çështjen e anëtarësimit në Interpol. Por, pavarësisht prej kësaj, në bisedimet e ardhshme me Serbinë duhet t’ia bëjmë të qartë që ta ndërpresë propagandën e egër ndaj Kosovës sa i përket anëtarësimit në Interpol sepse kjo është organizatë shumë e fuqishme dhe e rëndësishme në aspektin e sigurisë. Nëse Serbia nuk është e interesuar që siguria rajonale dhe evropiane të jetë në nivel është problem i saj, por këtë duhet t’ia themi troç. Duhet të jemi shumë të vëmendshëm për shpjegimin e gjërave edhe në tavolinë të bisedimeve nëse kjo çështje shtrohet apo në kuluaret e ndryshme atje. Politikisht duhet të punohet shumë me Serbinë zyrtare, me diplomacinë tonë dhe me diplomacinë e shteteve mike të Kosovës në mënyrë që të kemi më të vërtetë sukses në këtë vit dhe të bëhemi pjesë e Interpolit.

Shqipe HETEMI  

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Los Angeles Lakers dhe LeBron James nuk kanë çfarë bëjnë…