Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor mblidhen për të zgjedhur zyrtarisht presidentin e ShBA-së
Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor në ShBA po mblidhen në kryeqytetet e shteteve, më 14 dhjetor, për të zgjedhur zyrtarisht, Joe Biden, si presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara.
Rezultatet do të dërgohen në Uashington dhe do të paraqiten në një sesion të përbashkët të Kongresit më 6 janar, të cilin do ta kryesojë zëvendëspresidenti aktual, Mike Pence.
Sipas Kushtetutës së ShBA-së, presidenti duhet të zgjidhet me shumicën e votave të Kolegjit Zgjedhor. Nëse askush nuk fiton shumicën, pastaj çështja kalon në Dhomën e Përfaqësuesve e cila vendos për presidentin e ri.
Biden fitoi më shumë se 7 milionë për dallim nga presidenti aktual, Donald Trump. Sidoqoftë, vota popullore nuk luan asnjë rol.
Në historinë e ShBA-së, pesë presidentë janë zgjedhur, megjithëse kundërshtari i tyre kishte fituar më shumë vota popullore. Edhe Donald Trump ishte zgjedhur në këtë mënyrë më 2016.
Këtë vit votat e zgjedhësve kanë tërhequr më shumë vëmendje sepse presidenti, Donald Trump, ka refuzuar të pranojë rezultatet e zgjedhjeve dhe ende vazhdon të bëjë akuza të pabazuara për mashtrim.
Biden po planifikon t’i drejtohet kombit më vonë më 14 dhjetor, pasi Kolegji Zgjedhor të ketë votuar.
Pasi sfidat e shumta ligjore u hodhën poshtë nga gjykatësit në disa shtete, javën e kaluar Trump dhe aleatët republikanë u përpoqën të bindnin Gjykatën Supreme të linte mënjanë 62 vota elektorale për Bidenin në katër shtete, të cilat mund të kishin hedhur në dyshim rezultatin.
Gjyqtarët refuzuan përpjekjen më 11 dhjetor, por Trump po vazhdon të bëjë pretendime të pabazuara se ai fitoi zgjedhjet.
“Unë shqetësohem që vendi të ketë një president të paligjshëm, kjo është ajo për të cilën shqetësohem. Një president që humbi dhe humbi keq”, tha Trump në një intervistë në Fox News më 12 dhjetor.
Biden fitoi 306 vota elektorale ndërsa Trump 232. Duhen 270 vota për tu zgjedhur president.
Votimi bëhet përmes fletëve të votimit. Anëtarët e Kolegjit Eelektoral hedhin nga një votë për presidentin dhe zëvëndëspresidentin./ReL/