Anëtarët e KPM-së propozojnë ndryshimin e rregullores për zgjedhjen e kryetarit të ri, Mehmeti kundërshton

17 janar 2025 | 15:33

Anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) në mbledhjen e sotme kanë propozuar që në agjendë të futet ndryshim plotësimi i rregullores së punës, me qëllim që siç pretenduan ata KPM-ja të mos mbetet pa kuorum dhe të zgjidhet kryesia e re para se kryetarit aktual t’i skadojë mandati.

Anëtari i Bordit të KPM-së, Besnik Berisha, ka thënë se kjo po synohet të bëhet plotësisht në mënyrë të ligjshme dhe transparente. Ai ka thënë se nëse KPM-ja mbetet pa kuorum, atëherë rrezikohet funksionaliteti i këtij organi të pavarur.

Ai ka mohuar se prapa kësaj fshihen motive të tjera, siç ka thënë është raportuar në medie.

“Në agjendë propozojmë të të futet plotësim ndryshimi i ndryshimi i rregullores së punës me qëllim që të zgjidhet kryetari para se KPM-ja të mbetet pa kuorum si dhe sigurimi i vazhdimësisë së punës së KPM-së, si pikë tjetër me të cilën ne do të kemi mundësi po shpresojmë ta zgjedhim Kryesinë e re. Pas datës 20, KPM-ja rrezikon të mbetet pa kryetar dhe pa nënkryetar dhe mendoj që e prek deri diku funksionalitetin e KPM-së. Përtej kësaj unë kam vërejtë që sot u lansua lajmi se KPM-ja ka në plan ta shkarkojë kryetarin e KPM-së, kjo më habit shumë i e mori dhenë një lajm i tillë dhe ta shikojmë se kush po dezinformon si po dezinformon. Ky është shqetësimi ynë”, ka thënë Berisha.

Edhe anëtarja tjetër e KPM-së, Luljeta Aliu, ka thënë se prapa këtij propozimi nuk fshihet asgjë politike.

“KPM-ja është organ i pavarur. Me mbetë pa kryesi, pa kryetar është goxha keq. Çdo tendencë për me e ndryshuar këtë tregon mungesë profesionalizmi dhe anim siç kanë dëshirë me quajtur politik. Ne nuk jemi politik”, ka thënë ai.

Me këto propozime nuk është pajtuar kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti. Ai ka thënë se plotësim ndryshimi i rregullores së punës për KMP-në kërkon konsultim publik paraprakisht.

“Unë nuk jam dakord me asnjërën prej tyre. Plotësim ndryshimi i rregullores së punës për KMP-në kërkon konsultim publik. Kjo rregullore e punës me shumicë votash mund të iniciohet plotësim ndryshimi i saj por duhet të respektohet ky nen, pra që nënkupton konsultimin publik për 15 ditë pune. Nuk pajtohem as me ndryshimin e kryesisë, për shkak se ne jemi akoma me mandat. Në bazë të rregullores zgjedhja e nënkryetarit të ri bëhet në seancën vijuese, pasi atij aktual ti skadojë mandati, gjegjësisht të shkarkohet apo ndonjë arsye tjetër dhe argumenti se mund të mbetemi kryetar nënkupton se anëtari më i vjetër i komisionit është përfaqësues i KPM-së, që mund ta përfaqësojë KPM-në dhe t’i kryejë obligimet e tjera deri në ardhjen e anëtarëve të ri”, ka thënë Mehmeti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të…