![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/01/kqz-1.jpg)
Anëtarët e VV-së në KQZ kërkojnë që në broshurat e kandidatëve të mbesin numrat e kandidatëve të paçertifikuar
Anëtarët e Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alim Rama, kanë këmbëngulur në mbledhjen e këtij institucioni që në broshurat e kandidatëve për deputetë të figurojnë numrat e kandidatëve që nuk janë çertifikuar nga KQZ-ja, por as nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme.
Pavarësisht se Nisma Socialdemokrate i ka 12 kandidatë të pacertifikuar, anëtari i këtij subjekti në KQZ, Eshref Vishi, ka thënë se KQZ-ja duhet të jetë e kujdesshme dhe të ruajë integritetin e procesit zgjedhor.
Përfaqësuesit e VV-së nga mëngjesi i sotëm janë duke e bllokuar procesin e finalizimit të fletëvotimeve për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Po ashtu, nga sot është paraparë të fillojë votimi me postë për diasporën, por një gjë e tillë nuk po ndodh për shkak të këmbënguljes së VV-së për ta mbajtur listën me kandidatët për deputetë, që nuk janë certifikuar sepse janë të dënuar për kryerjen e veprave penale gjatë tri viteve të fundit.