Anëtari i Kryesisë së Nismës: Albin, e rrëzove veten
Anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate, Fazli Hoxha, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend në lidhje me rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Hoxha përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se Albin Kurti e ka rrëzuar vetën nga posti i kryeministrit.
Sipas Hoxhës, Kurti nuk ishte i gatshëm të përballet me temat e mëdha që e prisnin Kosovën.
“Sjellja jote si kryeministër i ngjante asaj të një lideri opozitar, duke e luftuar përbrenda edhe partnerin e juaj, LDK-në. Ti Albin e rrëzove veten, pasi nuk ishe i gatshëm të përballeshe me temat e mëdha që e prisnin Kosovën”, ka shkruar Hoxha.
Postimi i plotë i tij:
Mbrëmë me 2/3 e deputetëve u shkarkua Qeveria Kurti, kjo do të thotë se vetëm ata të VV-së mund të kenë qenë të kënaqur me këtë qeveri jetëshkurtër, e cila do të mbahet mend në historinë e Kosovës për vendime veç shkarkime, e asgjë tjetër. Qytetarët më 6 tetor i dhanë besimin VV-së dhe Kurtit jo 51 për qind por i dhanë shansin të dalë subjekti i parë politik duke i besuar në atë çfarë thoshte si lider opozitar.
Të jesh drejtues i një qeverie nuk është njëjtë sikurse të jesh lider partie. Nuk mund të thuash sot në këtë takim paraqitem si kryetar i VV-së e në takimin tjetër si kryeministër.
Ishe votuar për kryeministër me ndihmën e LDK-së, sepse përndryshe s’do t’i kishe shijuar këto 50 ditë të qeverisjes.
Nga fillimi e kam ditur se nuk do ta kesh gjatë në krye të qeverisë, por nuk kam pritur se kaq shkurt do të qeverisësh.
Sjellja jote si kryeministër i ngjante asaj të një lideri opozitar, duke e luftuar përbrenda edhe partnerin e juaj, LDK-në.
Ti Albin e rrëzove veten, pasi nuk ishe i gatshëm të përballeshe me temat e mëdha që e prisnin Kosovën.
Me ShBA-të nuk bën të luhet.
Një ditë para mocionit e dha mesazhin edhe ambasadori Kosnett ku tha, se është i kënaqur që po mbahet kjo seancë e mocionit. Këtë mesazh të ambasadorit e kuptuan 82 deputetë dhe të shkarkuan.
U mundove me të gjitha mjetet jodemokratike me vota të Serbisë ta lësh jashtë Kuvendit Nismën Socialdemokrate, por ja që sot ti nuk je më kryeministër dhe as deputet.
Rruga e mbarë jashtë qeverisë dhe kuvendit.