Anëtari i LV-së në KQZ e quan politik vendimin e sotëm të PZAP-it
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Adnan Rrustemi, ka reaguar pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili ka miratuar kërkesën e koalicionit Nisma-AKR-PD për mos pranimin e votave nga Serbia.
Ai ka thënë se një vendim i tillë i PZAP-së është politik dhe se nuk ka bazë ligjore.
“Kam menduar që PZAP nuk mundet me më befasu më shumë, por jo. Vendimet e sotme që veç ligjore e juridike nuk janë, heshti çdo parim e dispozitë ligjore. Vendime politike, pa asnjë bazë e pa asnjë hetim e verifikim në QNR, që kthejnë mbrapsht gjithçka. Për tri vota të pavlefshme, PZAP ka shkuar në QNR dhe ka hetuar gjithë ditën, kurse për rreth 1 500 kuti dhe largimin nga rezultati të disa votave, nuk kanë marrë as mundin që të vizitojnë QNR-në. Ne vazhdimisht kemi kundërshtuar mënyrën e regjistrimit e votimit nga Serbia. Madje kur të tjerët miratonin, unë kam bërë ankesa në PZAP e deri në Gjykatën Kushtetuese – të gjitha i refuzonin, sepse nuk ju duhej për aranzhmane politike të këtij lloji, por ju duheshin edhe për ta votuar Qeverinë”.
“Tani u kujtuan që t’i heqin votat nga Serbia, mirë shumë. Por çfarë do të bëjnë me vendimet e tyre të mëparshme, të kundërta më këtë e për të njëjtën çështje. Intenca për ta dëmtuar e devalvuar procesin zgjedhor, janë akti më antikushtetues ndaj demokracisë. E sendërtimi i rezultateve zgjedhore, me vendime politike: hiq një copë aty, e vendos këtu, janë goditje ndaj vullnetit të votuesve”, ka shkruar Rrustemi në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/