Anëtari i VV-së “kandidat potencial” për Bordin e BQK-së
Në adresë të Kuvendit të Republikës së Kosovës tashmë ka shkuar lista me emrat e 5 kandidatëve potencial për një anëtar joekzekutiv në Bordin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Në mesin e emrave që i është dërguar Kuvendit është edhe emri i anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Bashkim Nurboja, njëherit ish-kandidat i kësaj partie për Kryetar të Pejës dhe për deputet.
BQK-ja ditë më parë publikoi listën me emrat e kandidatëve potencial për këtë pozitë, të përzgjedhur nga paneli për përzgjedhjen e kandidatëve brenda këtij institucioni, pas hapjes së konkursit.
Në këtë listë figurojnë emrat si: Bashkim Nurboja, Bedri Peci, But Dedaj, Kosovare Ukshini dhe Mimoza Mustafa. Lista me këta kandidatë u është dërguar deputetëve të Kuvendit të Kosovës për votim, përcjell Buletini Ekonomik.
Bashkim Nurboja, si njëri prej kandidatëve të mundshëm për këtë pozitë, është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti fitoi edhe shumicën parlamentare në Kuvend.
Megjithatë, Nurboja me anë të një bisede telefonike me Buletinin Ekonomik, tha se ai vet është vetëm një anëtar i thjeshtë i kësaj partie dhe se qe disa vite nuk ushtron asnjë funskion politik nën emrin e kësaj partie.
Ai theksoi se kandidimi i tij për këtë pozitë publike, për anëtar bordi në BQK, është si rrjedhojë e shkollimit të tij dhe ekpertizës që ka në fushën e bankave, me fokus në institucionet financiare. Ai thotë se është larguar nga sfera politike qe një kohë, për t’u fokusuar më shumë në profesionin e tij.
Reth idesë së mundshme se përzgjedhja e tij për anëtar Bordi në Bankën Qendrore do të shihej si politizim i bordeve, për shkak se është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, Nurboja shpjegoi se kjo nuk ka të bëjë fare me politizim, pasi që sipas tij edhe ligji për BQK-në e përcakton saktë se kush ka të drejtë të aplikojë për këto pozita.
E meqenëse qe një kohë, nuk ka ushtruar ndonjë funskion politik dhe njëkohësisht nuk është as deputet e as anëtar i Kuvendit të Kosovës, ai thotë se i takon e drejta për të kandiduar.
“Nuk mendoj se është politizim i Bordeve, pasi edhe ligji për BQK e përcakton saktë se kush ka të drejtë për të aplikuar për këto pozita, e meqenëse unë nuk jam duke ushtruar asnjë funksion tjetër politik qe një kohë e gjatë, më takon e drejta për të kandiduar”, u shpreh Nurboja.
Buletini Ekonomik ka analizuar edhe Ligjin për BQK-në, ku përcaktohen qartë kriteret për kandidim për këtë pozitë.
Sipas këtij ligji, neni 40, pika 1, thotë se personat që kualifikohen për t’u zgjedhur që të shërbejnë në organet vendimmarrëse të Bankës Qendrore duhet të kenë diplomë universitare si dhe të kenë të paktën dhjetë vjet përvojë profesionale apo akademike në fushat e ekonomisë, financave, bankave, kontabilitetit apo çështjeve juridike.
Gjithashtu po në këtë nen, në pikën 3, përcaktohen edhe kushtet kush nuk ka të drejtë të kanidojë për pozitat e larta në BQK, në të cilin thuhet se “asnjë person nuk do të shërbejë në organet vendimmarrëse të Bankës Qendrore përderisa është anëtar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i Qeverisë, zyrtar i një ministrie të Qeverisë ose i ndonjë entiteti publik tjetër, ose zyrtar a punëtor i një institucioni financiar, i cili vepron me zyrat e tij në Kosovë, ose është pronar i drejtpërdrejtë ose pronar aktual i pesë për qind (5%) të shumës së interesit të ekuitetit në një institucion financiar të tillë.
“Përjashtimisht nga paragrafi 3 i këtij neni një zyrtar apo punëtor i një universiteti apo ndonjë organizate apo institucioni që ka pavarësi operacionale nga Qeveria nuk do të konsiderohet të jetë zyrtar apo punëtor i Qeverisë apo i një ministrie të Qeverisë”, përshkruhet në një pikë tjetër të ligjit për BQK-në.
Përveç kësaj, secili anëtar joekzekutivë i Bordit të Bankës Qendrore mund të shkarkohet prej postit nga Presidenti, në qoftë se ka marrë pjesë aktive në aktivitete politike pasi që është emëruar si anëtar i Bordit të Bankës Qendrore, duke mos përjashtuar edhe dy pika të tjera të ligjit për mundësi shkarkimi, që janë sëmundjet e ndryshme dhe mosrealizimi i detyrave përkatëse që iu takojnë. .BuletiniEkonomik